Gjilan.AL

G-Lan City

Vështrim poetik mbi librin “Roja i dritës”

Nga Bleona Arifi

Figuracioni poetik

Përmbledhja me poezi Roja i dritës mund të quhet padyshim si një vepër autobiografike, e cila arrrin të realizohet me një figuracion të zgjedhur letrar dhe transmetohet për publikun si vepër universale, e cila mund të gjej lexuesin e saj kudo. Me aq poezi sa gjenden në këtë përmbledhje Flutura Açka përçon tek lexuesit emocione, të cilat shndërrohen në forcë dhe shpresë për të gjithë ata, që kanë luftuar dhe luftojnë me jetën ballë sfidave të saj.Ky shndërrim metaforik nga një botë dhe jetë pesimiste në një ngjyrim plot shpresë dhe jetë mbetet e veçanta e artit dhe poezisë së saj.E gjithë kjo arrin të realizohet përmes pjekurisë së vargut dhe vetëdijes së lartë krijuese artistike, që autorja projekton përmes ndjeshmërisë së zërit të shpirtit dhe përgatitjes së saj profesionale letrare.Përdorimi i figurave poetike realizohet duke qenë gjithnjë në asocim të ndërtimit semantikë dhe atij emocional.Poezitë janë të lidhura njëra me tjetrën në realizimin e idesë kryesore, e në disa raste vargjet e shkruara duken si vazhdim apo plotësim i ndjesive paraprake, ngase motivi dhe ideja e tyre përshkohet me një ritëm të njëjtë, i cili gjen mishërimin në natyrë, kujtim, mallëngjim, shpresë dhe jetë.Autorja përmes figurave letrare, konkretisht figurës së metaforës arriti të rindërtojë figurativisht jetën e saj personale përtej kufirit biografik, sepse atë e universalizojë dhe i dha kuptim të përjetshëm, që do t’i mbijetoj kohës dhe jetës gjithnjë. Pasqyrimi i gjendjes së saj emocionale përmes vargut figurativ na paraqitet në tri ndjesi apo etapa të jetës;para vdekjes së të birit, gjatë ditëve të fundit të jetës së tij, dhe pas humbjes së tij. Poezia bëhet shpresa e fundit për autoren, terapia e cila i ngjallë forcën për jetë dhe shpresë.
Në poezitë e saj të para vërejmë frymën dhe gjuhën, e cila ndërtohet në trajtën e ndjesisë së vdekjes të paralajmëruar për të birin, e cila pasqyrohet me pasiguri, trishtim dhe frikë, siç shqiptohet edhe në vargjet e poezisë Aksi i sigurisë;
Kam kohë që jam qenie, e
zhvendosur nga aksi i sigurisë.
Ngul një spirancë droje,
por një shtjellë trishtimi,
m’kaplon.

Açka përmes vargjeve shpresëdhënëse i referohet vetvetes, forcës, bindjes dhe qenies së saj, e cila tenton ta sfidojë guximin dhe shpresën për jetë, por që kjo trajtë e shkrimit kthehet në një frymë këshilluese edhe ndaj lexuesve që ndjesinë e tyre e lënë në emocion të forcës dhe dritës; Tropiku mental;
…dhe qenia e hutuar kthehet në qenie të pahutuar,
në pranverën e mekët.
zgjedh të mbjellë, pemën
e shpresës.
Koha në jetën e saj paraqitet pakohë në kuptimin figurativ si zhvillim, që nuk pëson ndryshim dhe mbetet njëjtë sa sfidon durimin dhe pritjen, duke shndërruar minutën në shekull dhe çastin në vetë jetë.Ndonëse intervali kohor i poezive të shkruara bën diferencën e saj ndër vite poezitë të ofrojnë mendimin, se të gjitha këto mund të jenë shkruar brenda një kohë të shkurtër dhe jo vetëm, ngase bota subjektive e poetes, e cila shpërfaqet në krijimin e saj ngreh në parim çështje të cilat e shqetësojnë kahmotshëm.
Poezia në krijimin e saj na del dhe si thirrje drejt jetës dhe mosdorëzimit, sepse shpërthimi lirik i saj arrin të marrë frymë leksioni dhe të pasqyrohet në këtë ritëm ndaj receptuesve, prandaj autorja arrin të krijoj komunikim autor-lexues përmes vargjeve të drejtpërdrejta të cilat ngrisin vëmendjen dhe shpresën për t’u zgjuar drejt luftës për ekzistencë;
“Zgjimi”
Zgjohu,
shkojmë e flemë diku tjetër,
ku shihen ëndrra më të bukura,
se në burgun e trupit.
Eja,
lëre moskundin e harrimit,
të luajë me të harruarit,
që e kanë fikur grishjen për botën.
Jashtë trumba e zogjve,
është më rebele se yshja jote,
për ta shpallur zgjimin.
Ti, pranuesi i fatit,
pa lutje pa lot pa peng e pa mëshirim,
çeli sytë!…

Figuracioni poetik i përmbledhjes Roja i dritës projekton një mozaik ndjesish dhe mendimesh të cilat transmetohen me një varg të matur, që shkon kah diskursi filozofik dhe universal, sa bën që të mos kufizojë imagjinatën e lexuesit, por e lë të lirë në përceptimet individuale dhe nuk e kushtëzon atë në një semantikë të vetme të ligjërimit poetik. E natyrës së tillë është poezia “Kulçedra gri” e cila vë në dilemë dhe pyetje lexuesin, se kush mund të jetë kulçedra në këtë rast për autoren, jeta, e vërteta e hidhur, ankthi, dhimbja apo ndjesi e kuptime të tjera, të cilat lexuesi mund t’ia vesh figurës së kulçedrës dhe poezisë në tërësi. Lëkundjet e saj emocionale dhe psikologjike përcillen dhe vihen në dukje nga lexues të vëmendshëm, të cilët arrijnë të bashkëndjejnë dhe kuptojnë artin e krijuar me të, sepse pema të cilën përshkruan në poezinë “Tropiku mental”, e cila dukej me plot jetë dhe shpresë, ka ndryshuar bashkë me ikjen e të birit, tani pema nuk ishte si dikur, ngase autorja përmes ngjyrimit figurativ e paraqet si të palulëzuar dhe të harruar në vetmi dhe mërzi;
“Pema ime”
Pema ime,
është harruar në dimër,
me degët mpirë në akullimë,
vizaton degësh eterin me përkoren e saj,
nëpër dimërim…

Stili i saj krijues ndërton një botë semantike dhe lidhje të veçantë me lexuesin, e cila perceptohet dhe merr formë kuptimi, varësisht nga përvoja dhe përgatitja e tij. Duke qenë se poezitë janë të ngarkuara stilistikisht ato ofrojnë hapësirë për të prodhuar kuptime të dyfishta, por kjo varet nga receptuesi dhe ligjërimi figurativ, gjegjësisht kjo determinohet nga ndjesitë dhe mendimet empirike të lexuesit dhe nga hapësira konotative që mund të ofrojë poezia kundrejt tij.
Humbja e të birit për të mbetet si humbje fizike dhe jo shpirtërore, sepse për të ai mbetet gjithmonë i gjallë dhe i pavdekshëm për këtë jetë. Ndërsa dhimbja si ndjesia dhe motivi qenësor i të gjithave poezive në ciklin e tretë merr një dimension dhe pjekuri tjetër, ashtu dhe siç shprehet autorja;
Më zhbëri dhimbja,
tani jam gur,
dhe bëj çfarë bën guri.
Duron.

Kujtimet, të cilat i sjellin dhe i rikujtojn mallin dhe dashurinë për të birin mbeten fryma dhe arsyeja për t’u zgjuar nesër.Ndjesi të shumta të natyrës pesimiste Açka i pasqyron duke i ndërlidhur me natyrën, jetën sikur dhe ndjesinë e mungesës të cilën e përshkruan në atë formë, sa tenton të shpreh se ai nuk i mungon vetëm nënës, dhe familjes por me të e përgjysmuar mbetet dita, stina hapësira dhe e tërë gjithësia. Përmes vargjeve eliptike autorja lënë në enigmë mendime, të cilat arrin të plotësohen nga lexuesi, siç është rasti kur ajo shprehet;
Vjen një çast
Kur pikur në shenjteri
Dita merr ngjyrë nate
Dhe nata, dritë parajse

Persiatjet e ndjesive dhe mendimeve transmetohen në një dimension tjetër, ato kthehen në frymën e leksionit, që shtyn drejt forcës dhe shpresës.Autorja në poezitë Nëna dhe Gruaja e fortë i drejtohet vetes dhe të gjithë nënave të cilat kanë fuqi mendore dhe shpirtërore si të saj, të cilat luftojnë me një dhembje të njëjtë.Ajo shkruan në këtë formë, për t’i rikujtuar lexuesit edhe njëherë se kush është gruaja dhe nëna, se cila është forca e tyre që arrin të mposht jetën dhe sulmuesit e saj.

Portreti figurativ i Jernit

Të gjitha poezitë të cilat janë pjesë e përmbledhjes Roja i dritës janë copëza të cilat ndërtojnë portretin figurativ të Jernit.Ato në një formë apo tjetër arrin të pasqyrojnë karakterin e tij, çiltërsinë dhe forcën që i ofronte autores në ditët më të vështira të jetës së tyre. Gjendja e saj subjektive manifestohet nga vargje të cilat e spastrojnë atë nga mërzia, pikëllimi dhe çdo situatë tjetër, që e kalon kufirin e vetëpërmbajtjes emocionale dhe shndërrohet në një shpërthim figurativ poetik. Tri nga poezitë të cilat arrin të e ndërtojnë botën subjektive të Jernit, bukurinë e tij fizike dhe raportin nënë e birë janë; Gjysmëfjetur, Amanetet, dhe Roja i dritës.
Poezia e parë tenton të paraqesë qetësinë, butësinë dhe forcën e heshtjes, që Jerni ndjente ballë sëmundjes, që po kalonte dhe kjo realizohet duke përshkruar dashurinë, që prindi ndjen ndaj një krijese të çiltër si autorja që ndjen ndaj djalit të saj.
Gjysmëfjetur
Sa t’du
Portreti më i bukur që dizejnoi natyra,
shpirti më i ngjyrtë që preku bryma,
ecja më e bukur që ndërtoi hapi,
retina më e qashtër që njomi loti,?
materien time ke hijeshu.
Kjo është poezia, që e nxit autoren të pyes botën, lexuesin se a ka ndonjë atlas që mund të dizejnoj dashurinë në mes prindit dhe fëmijës.
E një dimensioni tjetër që shpalos karakterin e vërtetë të tij është poezia Amanetet. Autorja në këtë krijim vendos të tregojë mirësinë e tij duke iu kthyer me pyetje;
Pse ishe ti,
ashtu, siç ishe,
i mirë deri në pamundësi,
o, Bir!

Poezia përfaqësuese e tërë përmbledhjes është Roja i dritës, për çka autorja vendos ta emërojë dhe vëllimin poetik me këtë titull.Kjo poezi e cila realizohet me një varg metaforash dëshmon karakterin human të Jernit dhe të vetë autorës, që shtrihet në një figuracion të thellë letrar, në të cilin rrezaton mishërimi poetik me ndjesi, që shpalosin më së miri subjektin lirik dhe prekin ndjesitë e lexuesit.
Roja i dritës
Ti kishe kaq qiell brenda teje,
sa edhe dielli bante ndejë n’tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,
horizontit ankohej,
se s’mundej me të ngja ty.

Vargjet e poezisë, shpërfaqin në të gjitha dimensionet jetësore tiparet njerëzore të djaloshit dhe padjallëzinë e tij, që lidhet dhe me ëndrrat e parealizuara. Roja i dritës si një varg metaforik simbolizon portretin e Jernit si një figurë poetike, që brenda poezisë dhe jashtë saj, ndriçon dritë për jetë dhe forcë për të vazhduar mbi të gjitha errësirat.

Përfundim

Përmbledhja me poezi Roja i dritës hapet nga parateksti në të cilin autorja shpreh falenderimet për të gjithë ata, që arritën të ndihmojnë në realizimin e këtij libri.
Libri ndahet nga tri cikle, cikli i parë titullohet;
Initium, ku në të janë gjithësej 14 poezi, të cilat janë të shkruara në vitet 2016 dhe 2017.
Fryma dhe gjuha e këtyre poezive të cilat janë pjesë e këtij cikli ndërtohen në trajtën e një ndjesie të vdekjes së paralajmëruar për të birin, ngase paraqitja e autores demanton luftën për mospranimin e një të ardhme të tillë.
Terminus, është cikli i dytë në të cilën përfshihen gjithsej 23 poezi me titull dhe një pa titull.
Ky cikël i poezive grupon materien poetike, që pas vetes mbartin një peshë të lartë stilistike dhe vetëdije profesionale letrare.Në inherencë të tyre gjenden ndjesi të cilat përshkallëzohen ballë dy gjendjeve, asaj pesimiste dhe optimiste.
Estensio, është cikli i tretë që përfshin 19 poezi, me titull dhe katër të tjera pa titull. Poezitë të patitulluara ndërtohen me një ritëm në të cilën vihet në përballje forca e dhimbjes nga ikja e të birit dhe forca e poetes për të vazdhuar jetën, por të tipit të njëjtë janë edhe poezitë e tjera të cilat realizohen me fatin e hidhur të ikjes pakthim, ndonëse autorja shprehet se ai mbetet roja i dritës, engjulli që rrezon nga qielli dhe me ndritjen e tij i ruan këta në tokë.
Ndërsa pjesa e fundit e cila titullohet Spiritus Ventus përmban në shenjë falenderimi poezinë e një poeteshe të re afrikanojugore, Courtney Elisanbeth Macauly, e cila i qëndroi pranë në ditët më të vështira të jetës së tyre. Në këtë tekst autorja shkruan se në shenjë mirënjohje e bënë pjesë të vëllimit të saj poezinë Never fall in love with a dying man, të cilën e përkthen në shqip
Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes, me urimin se një ditë ajo do të thyejë drojën e pasigurisë e t’i sjellë Afrikës së Jugut, një Ingrind Jonker të re. Në këtë poezi përçohet dhembja, që ajo ndjen me humbjen e Jernit,gjegjësisht përmes vargut figurativ E do të kthehesh në kafshë e plaguar shpalos mungesën, mallin dhe kujtimin që ndjen për të. Mbi të gjitha kjo përmban shenja stilistike, të cilat e plotësojnë dhe e unifikojnë gjendjen subjektive të autorës në tërësi.
Ndonëse vepra është e ndërtuar tërësisht me shenja autobigorafike, përmbledhja Roja i dritës dëshmon faktin, se dhembja mund të shndrrohet në një art i cili pambarimisht jeton me kohën.

Shënim; Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, që ligjërohet nga prof.dr.Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega Letërsisë Shqipe, Fakulteti Filologjisë, Prishtinë. /KultPlus/