Gjilan.AL

G-Lan City

Tre super duele zhvillohen sot në Albi Mall Superligë

Xhiro e 20-të në Albi Mall Superligë do të luhet në dy ditë, të shtunën (sot) që janë në program për tu zhvilluar tre ndeshje dhe dy të tjera ditën e diel.

Ndeshja kryesore e ditës së sotme padyshim që do të zhvillohet në Gjilan, ku Drita pret Dukagjinin e Klinës.

Dy skuadrat janë në pjesën e epërme të tabelës, por me objektiva të ndryshme, me Dritën që kërkon titullin dhe Dukagjinin daljen në Evropë.

Pas humbje nga 89-shi, vendasit kërkojnë të rikthehen te fitoret, në anën tjetër klinasit kërkojnë vazhdimësi të rezultateve të mira.

Duel tejet interesant pritet të zhvillohet edhe në Ferizaj, ku Ferizaj i fundit në tabelë pret Prishtinën.

Të dyja skuadrat duan vetëm fitoren, me vendasit që kërkojnë t’i ikin fundit të tabelës dhe mysafirët që kërkojnë të rikthehen në pozitën e tretë.

Sfida e tretë e ditës së sotme zhvillohet në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë ku Llapi pret Trepçën ’89.

Si vendasit ashtu edhe mysafirët kanë vetëm një pikë dallim dhe kërkojnë vetëm tre pikët në këtë duel.

Të tre duelet e ditës së sotme fillojnë nga ora 13:00. /Gazeta Olle/