Gjilan.AL

G-Lan City

Tifozët “Intelektualët” e “Skifterat” në kodrina si në vitet e 1990

Shkruan: Sylejman Ismajli

Bota e civilizuar për 32 vite është ndërtuar me hapa gjigantë në infrastrukturën sportive, duke ju bërë kushte optimale klubeve e tifozëve të futbollit që ndeshjet e idolëve të tyre ti përcjellin me komoditet.

Pushteti serb kishte larguar me dhunë sportistët nga fushat e palestrat, ku futbollistët u detyruar të luanin nëpër livadhe e ara, e të njejtin fat e kishin edhe sportet me dorë duke luajtur nëpër oborre të shkollave e ku të mundeshin.

Atëherë kishim një ëndërr, se me të përfunduar lufta do të krijonim infrastrukturë moderne, do të ndërtonim stadiume për të na pasur lakmi – por këto ëndrra ishin iluzione të kota.

Dy klubet e qytetit të Gjilanit kishin një stadium shumë të mire ku mblidheshin deri në 15000 shikues.

Tribunat e ati stadiumi u rrënuan e u premtua se do të rregullohet një stadium i ri e modern për klubet e qytetit.

Me këto premtime, klubet u larguan nga “foleja e vjetër”, e u zhvendosën tek fusha me bari sintetik (tek rrethi).

Gjatë viteve të 90-ta, këto dy skuadra (KF Gjilani e Drita), luanin në një livadh në fshatin Malishevë të Gjilanit, në kushte të mjerueshme, por klubet, lojtarët e tifozët, kishin një ëndërr se me formimin e shtetit dhe institucioneve tona shumë çka do të rregullohet. Ato ndeshje shikuesit i përcillnin edhe nga 10 000 veta nga kodrinat rreth livadhit ku ishte improvizuar fusha e futbollit.

Tani e një kohë të gjatë shikuesit “Intelektualët” e ”Skifterat”, pas plot 33 vitesh prapë skuadrat e tyre të zemrës po i përcjellin nga kodrinat e fushës sintentike, pra, jemi rikthyer përsëri në vitet e 90-ta.

Në ndeshjen e djeshme në mes Dritës e Ballkanit, ishte për të ardhur keq të shohësh shikuesit në kodrina në kushte të mjerushme.

Ato pamje ishin të tmerrshme, por njëkohësisht ndjeje edhe mërzi kur paramendohej se jemi në vitin 2023 e ne ende jemi duke percjellur futbollin si në vitet e 90-ta.

Kryesia e klubit të Dritës dje ishte për cdo lavdatë, pasi për të gjithë shikuesit i kishte biletat gratis. Ky veprim i tyre ishte për tu përshëndetur pasi shikuesit ndeshjën e percjellën në kushte të tmerrshme. Më e dëmtura ishte vetë klubi, ku vetëm nga ky veprim mund të ketë humbur me qindra-mijëra euro.

Koha po ecën, klubet po dëmtohen e shikuesit po e humbin dëshirën për të përcjellur ndeshjet, e për të gjitha këto fajtorët e vetëm janë politikanët me premtimet e tyre të rreme.

Politikanët shkojnë e vinë, ndërsa shikuesi e sporti është i përjetshëm.

Shpresoj për reflektim! /Radio Star/