Gjilan.AL

G-Lan City

Shqiptarët e Gjilanit në mbrojtje të kufirit gjatë Luftës së Parë Ballkanike

Shkruan: Dr. Enver Sadiku

Në prag të Luftës së Parë Ballkanike, shqiptarët e Kazasë së Gjilanit e dinin se atdheu mbrohet në kufi, andaj ata përkundër se ishin të armatosur dobët dhe nuk kishin sa duhet municion kishin vendosur të bëjnë rezistencë përballë një ushtrie të rregullt, të organizuar mirë e të armatosur me mjetet më moderne luftarake të kohës.

Me qëllim që t’i mobilizojë vullnetarët shqiptarë në mbrojtjen e kufirit nga Armata e Tretë Serbe, në vjeshtën e vitit 1912 në Hogosht kishte arritur Bajram Curri, i cili ishte takuar me parinë e fshatit.[1]

Në mbrojtje të kufirit, luftime të përgjakshme u zhvilluan në tërë frontin, që nga burimi i lumit të Llapit dhe deri në Bujanoc, por vatrat më të njohura të rezistencës ishin fshatrat Merdar në verilindje të Prishtinës, Svircë e Gjilanit dhe Novosellë e Bujanocit. Në kufi, në rajonin e fshatit Svircë, nga pala serbe luftën e bënte Brigada e Moravës, të cilën e komandonte nënkoloneli Stevan Milovanoviq. Para tyre ndodhej edhe njësiti çetnik i kapedanit Bozhin Simiq, prej rreth 170 burrave[2], derisa forcat mbrojtëse udhëhiqeshin nga Idriz Seferi. Në qendër, në Rajonin e Gollakut, Idriz Seferi kishte organizuar një qëndresë të shkallëzuar deri në Gjilan, duke sulmuar pa reshtur forcat ushtarake shoviniste serbe.[3] Për luftime të ashpra në këtë rajon, njoftohej përmes shkresës edhe Komanda e Armatës së Tretë.[4]

Shqiptarëve u kishte mbetur e tërë barra e mbrojtjes së kufirit, ngase kishte mungesa të mëdha te ushtria osmane në logjistikë, në punimet fortifikuese etj., e këto mangësi sollën që në ditët e parë të fillimit të luftimeve ushtria osmane të pësojë disfatë pas disfate.[5] Edhe vetë princi serb, Aleksandër Karagjorgjeviq, në një intervistë që në Vrajë i kishte dhënë korrespondentit të gazetës “Riget” kishte thënë se shumë pak nga të vrarët dhe të arrestuarit janë trupa të rregullta turke, shumica që luftojnë në këtë front janë shqiptarë dhe se shqiptarë janë edhe gjithë të arrestuarit që ai i kishte parë në qytet e që ishin në grupe të vogla të lidhur me tel të hollë.[6]

Shqiptarëve të armatosur nga trevat e Gjilanit, Karadakut e Moravës u ishin bashkuar edhe vullnetarë lokalë dhe ata ishin të vetmit që po mbronin vatrat e tyre dhe po u bënin ballë njësive të Armatës së Tretë Serbe, që ishte një fuqi e madhe ushtarake. Luftimet në këtë trevë juglindore të Kosovës vazhduan 7 ditë, duke filluar nga koha e sulmit të ushtrisë serbe më 17 tetor 1912.[7]

Pos sulmeve ushtarake, Shtabi i Armatës së Tretë synonte edhe kapjen e udhëheqësve të kryengritjes. Udhëheqës të këtij shtabi u sugjeronin njësiteve të tyre që në rast se udhëheqësit do të kapen, të varen, ngase siç kishin vlerësuar ata, kjo do të ishte masa më e mirë për t’i qetësuar shqiptarët dhe se çdo veprim tjetër do të ishte në dëm të Serbisë.[8]

Për luftën që po zhvillohej në kufi, komandanti i Brigadës së Moravës njoftonte Komandën Supreme në Nish se në kufirin Svircë – Quka e Novakut dhe në pjesë të tjera të frontit, të cilat për t’i marrë pozitat që mbroheshin nga shqiptarët është dashur që të veprohet edhe me gjuajtje artilerike, kurse shqiptarët për të mos rënë në duar të serbëve disa sektorëve të ushtrisë ia kanë vënë flakën.[9]

Ushtria serbe e pajisur me topat më modern të kohës

Luftime të ashpra u zhvilluan edhe në rajonin Novosellë – Ramnabuqë – Suharnë. Kjo ishte një betejë që arriti deri në ndeshje trup me trup mes forcave mbrojtëse dhe atyre pushtuese serbe.[10] Beteja të ashpra u zhvilluan edhe në fshatrat Zarbincë, Suharnë, Novosellë e Epërme, Ramnabuqë, Gjergjec, Kiev, Muhofc, Qarr, Sedllar, Priboc, Bilinicë si dhe në shumë fshatra të tjera të Llapit, të Moravës e në të gjithë Gollakun.[11]

Në kufi pati përleshje disaditëshe deri më 19 tetor 1912 dhe dy divizione të vijës kufitare të Frontit me Armatën e Parë Serbe, pas përleshjeve disaditëshe, deri më 19 tetor 1912, dy divizione të kësaj armate, megjithatë arritën të depërtojnë në drejtim të Bujanocit.[12] Në fshatin Llapardicë, afër Bujanocit, nga shpërthimi i gjyles së topit ishte vrarë Salih Aga i Gjilanit me disa prijës të tjerë, kur po udhëtonin me çeze për të kërkuar ndihmë.[13]

Pas luftimesh të ashpra, sidomos në Svircë të Gjilanit dhe në Novosellë të Bujanocit, forcat shqiptare duke parë se nuk mund t’i bëjnë ballë forcave serbe, u tërhoqën pjesërisht në drejtim të Kumanovës dhe pjesërisht në drejtim të Gjilanit.[14] Shqiptarët përkundër se ishin në numër më të vogël luftuan me trimëri, por vullnetarët shqiptarë u deshën të tërhiqen edhe në mungesë të municionit. Ata u tërhoqën në grupe, duke bërë rezistencë të kohëpaskohshme, si në Tërnoc, Rahovicë të Preshevës e sidomos në Grykën e Konçulit.[15] Serbët e dëshironin depërtimin drejt Gjilanit, ata e kishin konsideruar me rëndësi strategjike Grykën e Konçulit dhe atë arritën ta pushtojnë më 21 tetor 1912 dhe siguruan depërtimin në drejtim të Gjilanit.[16]

Në luftimet mes forcave rezistuese dhe atyre serbe, në të dyja anët pati humbje të mëdha.[17] Serbët që asnjëherë nuk i kishin dhënë numrin e saktë të humbjeve të tyre në luftë me shqiptarët kanë publikuar të dhëna se në luftën në rajonin e Svircës, Brigada e Moravës kishte 25 ushtarë të vrarë, 90 ushtarë të plagosur dhe 19 ushtarë të zhdukur, në Velegllavë serbët kishin tre të vrarë dhe gjashtë të plagosur.[18] Shqiptarët kudo që u ndeshën me armikun luftuan me trimëri, ata e njihnin mirë terrenin dhe te ushtria serbe ekzistonte bindja se më vështirë është të luftosh me ta se me ushtrinë e rregullt osmane dhe rezistenca e shqiptarëve bënte që ushtarët dhe oficerët serbë shpesh t’i kapte paniku.[19]

Literatura serbe dhe raportet serbe nga vija e frontit nuk ishin reale kur paraqiteshin humbjet e ushtrisë serbe, ngase gjërat minimizoheshin mbi numrin e humbjeve që i kishin serbët. Lidhur me humbjet që serbët kishin pësuar në kufi, është thënë se komandanti i Armatës së Tretë nuk i ka vërejtur pasojat e luftës kufitare, e as që i ka zbuluar dobësitë e kundërshtarit dhe mundësitë e tyre mbrojtëse.[20] Shqiptarët që po bënin rezistencë në masë të madhe i ka dëmtuar harxhimi i municionit, koha e dimrit e veshmbathja e luftëtarëve. Gjithashtu edhe rrethanat në të cilat u organizua rezistenca e armatosur nuk ishin aspak të volitshme, megjithatë qëllimi i rezistencës ishte ndalimi i marshimit të forcave serbe nëpër tokat e sapoçliruara nga Perandoria Osmane.[21] Më 22 tetor, ushtria serbe pasi që kishte thyer kufirin në Merdar kishte depërtuar deri në Prishtinë. Armata e Tretë Serbe u pozicionua duke u ndarë në dy pjesë, me qëllim të vazhdimit në drejtim të Ferizajt e Shkupit si dhe në drejtim të Gjilanit e Kumanovës.[22]

Më vonë pasi ishin tërhequr nga mbrojtja në kufi, sipas disa të dhënave Idriz Seferi me një grup malësorësh kishte tentuar të kalojë në Shqipëri, mirëpo në ndërkohë edhe atje kishte depërtuar ushtria serbe, andaj ai ishte i detyruar që sërish të kthehet në Malet e Karadakut, duke tentuar që edhe më tej të vazhdojë me rezistencë.[23]

Vullnetarët shqiptarë si në viset tjera ashtu edhe ata të anës së Gjilanit edhe pse të rraskapitur nga kryengritjet e më hershme kundër pushtetit osman, luftuan me trimëri të madhe kundër pushtuesit të ri, Serbisë, por nuk mundën t’i bënin ballë sulmeve të ushtrisë serbe, e cila numerikisht dhe në armatime ishte shumë më superiore, prandaj me gjithë rezistencën e bërë, ushtria serbe arriti të depërtojë në territorin e Gjilanit dhe në tërë Kosovën. Kjo ndodhi edhe për faktin se nuk pati një mbrojtje gjithëshqiptare dhe se luftuan dhe u mbrojtën kryesisht zonat dhe banorët që ishin më afër kufirit me Serbinë, pa pasur një mobilizim të përgjithshëm.

[1] Latifi, H. dhe Sermoxhaj, H., vep. e përm., f. 25.

[2] Ратковић, Б., vep. e përm., f. 123 – 126.

[3] Braha, Sh., vep. e përm., f. 188.

[4] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29, f. 40.

[5] Fiçorri, R. 2002. Ushtritë e huaja në Shqipëri 1912 – 1922. Tiranë: Mokra, f. 32.

[6]Gazeta “Riget”, “Kryeshtabi në Vrajë – Të burgosurit e parë shqiptarë”, korrespondencë nga Vraja, 24 tetor 1912.

[7] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 506.

[8] Hadri, A. 1974. Gjakova gjatë LNÇ-së. Prishtinë: Rilindja. f. 36.

[9]ASHK, Fondi Sadullah Brestovci, nr. i inventarit 29, док. бр. 114, 7 октобра 1912 године, Куршумлија.

[10] Braha, Sh., vep. e përm., f. 188 – 189.

[11] Po aty, f. 189.

[12] Shala, Xh., Marrëdhëniet…, f. 49 dhe f. 55.

[13] Selmani, A., Gjilani…, f. 277.

[14] Cana, Z., Politika…, f. 267

[15] Први Балкнаски Рат, f. 533.

[16] Selmani, A., Gjilani…, f. 277.

[17] Brestovci, S., art. i përm., f. 13.

[18] Ратковић, Б., vep. e përm., f. 123 – 127.

[19] Први Балкнаски Рат I, f. 467.

[20] Ратковић, Б., vep. e përm., f. 151.

[21] Rrustemi, S. 2007. Dëshmi ndriçuese, masakrat në Karadak në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së Flamurit më 28 nëntor 1912. Në Vizione nr. 7dhe 8, revistë e shkencave shoqërore. Kumanovë: Grafoteks, f. 314.

[22] Rushiti, L., Rrethanat…, f. 24.

[23] Brestovci, S., art. i cit., f. 13. /Kryelajmi/