Gjilan.AL

G-Lan City

Qytetarët në Novobërdë ankohen për ritmin e ngadalshëm të punës në Komunë

Në Novobërdë qytetarët ankohen se Komuna po i zvarrit lëndët për bartjen e pronave. Disa qytetarë thanë se periudha prej 3 muajsh është bërë standard për një punë që, sipas afatit ligjor, duhet të kryhet brenda 30 ditësh. Zyrtarë komunalë thonë se shqyrtimi i lëndëve bëhet brenda muajit, me përjashtim të kohëve të fundit kur ka pak vonesa
Enver Zeqiri thotë se e ka dorëzuar kontratën e noterizuar për blerjen e një prone në Komunën e Novobërdës para katër muajve.

Toka e blerë nga ai ende nuk është bartur në pronësi të tij për shkak, siç thotë, të punës së ngadalshme në komunë.

“Dokumentet i kam bërë të gatshme në Stanishor, por këtu nuk m’i kanë përkthyer qe 4 muaj ditë. Unë ja ku e kam dokumentin që është paguar, prona ende nuk ka dalë në emrin tim”, tha Zeqiri.

Qytetarë të tjerë, që të hënën prisnin në radhë para objektit të Komunës, prapa kamerës thanë se vonesat deri në 3 muaj janë bërë standard.

Rrahim Ahmeti, zyrtar në Drejtorinë e Kadastrës në Komunën e Novobërdës, pranon se kohëve të fundit ka vonesa të vogla, porse në të shumtën e rasteve ato kryhen brenda afateve ligjore.

“Mund të themi që brenda 30 ditësh i jepet palës një përgjigje, mirëpo në kohët e fundit kemi mungesë të drejtorit dhe ka pasur mundësi të kemi pak vonesa”, tha Ahmeti.

Vonesat për bartjen e pronës, sipas avokatit Anton Ndrecaj, nga organizata CLARD, hapin mundësinë që të përfundojnë si raste në gjykatë.

“Disa komuna e kanë afatin e bartjes dhe regjistrimin e pronës 2 javë e disa brenda 7 ditëve, mirëpo në parim është 30 ditë. Në rast se komuna brenda këtij afati ligjor nuk e bën bartjen e pronësisë, atëherë këtu automatikisht kemi papërgjegjësi të zyrtarëve komunalë, për shkak të mosrespektimit të afatit ligjor, ndaj tyre hapet rruga për të nisur një proces tjetër, duke i shfrytëzuar mjetet juridike”, tha Ndrecaj.

Avokati Ndrecaj ka thënë se në komunat e vogla, siç është edhe Novobërda, afati i bartjes së pronësisë nuk zgjat më shumë se 7 ditë. /Koha/