Gjilan.AL

G-Lan City

Prokuroria inicion rast për vdekjen e dy foshnjave, Klinika e Gjinekologjisë thotë se ka qenë abort

Policia e Kosovës ka iniciuar një rast për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor pasi një grua shtatzënë, e cila ka humbur dy foshnjat e saj, e ka denoncuar rastin.

Prokuroria e Prishtinës ka dhënë urdhër për t’i bërë autopsinë dy foshnjave.

“Lidhur me këtë çështje ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për t’iu bërë autopsia trupave të pajetë (dy foshnjave), derisa është iniciuar rast “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, sipas KPRK-së” – tha Laureta Ulaj, Zyrtare për Informim.

Ulaj konfirmoi se rasti ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Të dyja institucionet nuk kanë pranuar të japin më shumë informacione.

Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj tha se ky rast nuk ka qenë lindje, por abort.

Ai nuk pranoi që të prononcohej më tutje, por kërkoi që të kontaktohet Zyra për media.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën për media të QKUK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

Prokuroria thotë se është në koordinim me institucionet relevante për ta ndriçuar plotësisht këtë rast. /Kallxo/