Gjilan.AL

G-Lan City

Priten në takim nxënësit fitues të Garës Kombëtare të Ekonomiksit (EFI)

Gjimnazi natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, shkollë e cila dallohet çdo herë me sukseset e arritura në gara të lëmive të ndryshme, edhe kësaj here arriti të rrëmbente katër vende nga top dhjetë finalistët e kësaj gare.

Arsa Alidema, Blinë Arifi, Drion Shaqiri dhe Elsa Kqiku u shpërblyen edhe në mënyrë financiare për suksesin e arritur si finalistë të olimpiadës.

Vlen të përmendet se Olimpiada e Ekonomiksit është garë e cila është zhvilluar për herë të parë në Kosovë, dhe përmban tri faza, atë shkollore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ku këtë vit Olimpiada Ndërkombëtare e Ekonomiksit do të mbahet në Sllovaki dhe njëra nga nxënëset, Blinë Arifi, do të marr pjesë në ekipin përfaqësues të Kosovës në Sllovaki.

Në takim, nënkryetarja e komunës shprehu mirënjohjen dhe krenarinë e saj ndaj nxënësve në fjalë dhe profesoreshës së lëndës së ndërmarrësisë dhe ekonomisë, prof. Linda Fazliu, e cila udhëhoqi dhe motivoi nxënësit përgjatë rrugëtimit të tyre drejt këtij suksesi. E gjithashtu nuk munguan as ftesat nga nënkryetarja për bashkëpunime të ndryshme rreth projekteve që do të ketë në vazhdim Komuna e Gjilanit.

Nxënësit rrëfyen për eksperiencën e tyre në garë si dhe përgatitjen që kishin bërë për të.

“Ishim krenarë që shkolla dhe komuna jonë mbizotëroi me numrin e përfaqësuesve dhe fituesve në garë të ekonomiksit. Arritëm të dëshmojmë që Komuna e Gjilanit ka të rinj shumë të avancuar edhe në fushën e ekonomisë”, cekën në fjalët e tyre nxënësit fitues dhe profesoresha e lëndës.

Takimi u përmbyll me fjalën e nënkryetares duke i falënderuar dhe motivuar për suksese të mëtutjeshme. /Gjilani info/