Gjilan.AL

G-Lan City

Përplasje në lidhje direkte, Valon Zymberi e ‘gozhdon’ Alban Lumin

Drejtori i Dritës, Valon Zymberi, e ka quajtur servil gazetarin e volejbollit dhe basketbollit, Alban Lumi, pasi ky i fundit tronditi duke i fyer kolegët e vet gazetarë në sportin e futbollit, në përpjekje dëshpëruese për ta mbrojtur Federatën e Futbollit dhe kryetarin e saj Agim Ademi gjatë një paraqitjeje televizive të dielën.

Gazetarët e sportit nuk u lejuan për herë të dytë radhazi në një kuvend pune të FFK-së, madje as brenda oborrit të ndërtesës së federatës.

Ata u desh ta shikonin në Youtube Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku FFK-ja shpejt e shpejt e miratoi Statutin e ri të federatës midis akuzave dhe polemikave për shkelje dhe mangësi.

Lumi, i cili vazhdimisht e quante veten gazetar, i mbrojti veprimet jotransparente të FFK-së ndaj kolegëve të tij nga sporti i futbollit.

“Unë nuk besoj se ato media ia vlen me qenë brenda kuvendit. Gazetarët e kryejnë punën e vet, ata brenda e kryejnë të veten. Çka lyp gazetari në mesin e kuvendarëve? Me çu dorën a?”, tha Lumi në emisionin Dueli Sportiv në RTV Dukagjin.

Zymberi iu përgjigj: “Ti është dashur të shqetësohesh së pari me faktin se kolegët tuaj kanë mbetur jashtë, kanë ngrirë nga ftohtit.”

Lumi, i cili nuk ka aspak përvojë në fushën e futbollit, e kritikoi drejtorin e Dritës Zymberi, pse ai po e kundërshtonte Statutin e ri të FFK-së dhe pse po i shprehte shqetësimet e tij me moslicencimin e federatës.

“Unë jam gazetar sportiv. Ti e din që unë nuk shkruaj veç për basketboll por edhe për volejboll”, këmbënguli Lumi.

Derisa Zymberi po mundohej të nënvizonte shqetësimet e skuadrës së tij për humbjen e të hollave nga ligji për sponsorizim si pasojë e moslicencimit dhe druajtjeve se Statuti i ri nuk do të pranohet nga Komisioni Licencues i Ministrisë së Sportit për shkak të mangësive, Lumi po e ndërpriste vazhdimisht dhe e quajti atë “nivel i ulët”.

Ishte ky çast kur Zymberi e quajti atë servil, shkruan Nacionale.

“O Alban, me ty tash e tutje debatoj vetëm kur të marrësh pozitë në federatë (FFK), je bërë bozë. Kë po e përfaqëson ti, kë? Ec servil i vogël”, tha Zymberi.

Shumica e gazetarëve kolegë të Lumit nga sporti i futbollit vuajnë në punën e tyre nga mungesa e skajshme e transparencës në shtëpinë e futbollit të Kosovës.

Shumë prej tyre u hedhën poshtë edhe kërkesat për akreditim për të raportuar për ndeshjet e Kombëtares.