Gjilan.AL

G-Lan City

Një muaj paraburgim për dy mjekët e arrestuar në Gjilan – i kërkuan qindra euro pacientes për ta operuar

Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj dy mjekëve që u arrestuan ditë më parë në këtë komunë për marrje ryshfeti.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.

“Në lidhje me pyetjet e juaja për rastin në fjalë ju njoftojë se dje (01.05.2023), gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj dy pandehurve H. B. dhe L. M. të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit, nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji të pandehurve, i cili do të llogaritet prej ditës se ndalimit me 29.04.2023 e gjerë me datë 28.05.2023, konform dispozitave të nenit 184 paragrafi 1 nën paragrafët 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP)”, ka deklaruar Shkodra në një përgjigje me shkrim.

Ai ka shtuar se kundër këtij aktvendimi mund të paraqitet ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, në afat prej 24 orëve, pas pranimit të aktvendimit.

“Ankesa e paraqitur nuk e ndal ekzekutimin e këtij aktvendimi”, tha Shkodra.

Kujtojmë se dy ditë më parë një anesteziolog dhe një kirurg nga Gjilani u arrestuan nën dyshimin se kanë marrë ryshfet në vlerë 430 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje.

Kështu kishte bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media.

Sipas policisë, thuhet se përveç anesteziologut i cili kishte marrë 100 euro ryshfet, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe kirurgu i cili kishte marrë ryshfet në vlerë 330 euro. I njëjti kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë”, thuhej në njoftim. /TV Gjilani/