Gjilan.AL

G-Lan City

Në kërkim të biznesmenëve prapa një mashtrimi miliarda dollarësh

Një rrjet global mashtrimi u ka vjedhur investuesve të zakonshëm më shumë se një miliard dollarë. “BBC Eye” ka identifikuar rrjetin e errët të biznesmenëve që qëndrojnë prapa këtij mashtrimi.

Si ndodh mashtrimi

Së pari, i bien telefonit. Një i moshuar përgjigjet.

Telefonuesi prezantohet si “William Grant”, nga firma tregtare “Solo Capitals”. Ai thotë se ka një “promovim të madh” për të ofruar.

I moshuari tingëllon i cenueshëm dhe i hutuar.

“Nuk jam i interesuar, nuk më intereson”, thotë ai.

Por, William Grant është shumë këmbëngulës.

“Kam vetëm një pyetje”, i thotë të moshuarit. “A jeni të interesuar të fitoni para?”

Jan Erik, një pensionist 75-vjeçar në Suedi, është gati që të mashtrohet sërish. Thirrja u bë nga zyrat e Solo Capitals, një firmë e supozuar për tregti me kriptovaluta që e ka selinë në Gjeorgji.

Regjistrimi është i vështirë për t’u dëgjuar – jo vetëm që i moshuari Erik tingëllon i hutuar, por ai i thotë telefonuesit se tashmë ka humbur një milion krona suedeze (rreth 88 mijë euro) nga mashtrimet.

“Ne do të jemi në gjendje të rikuperojmë të gjithë shumën”, thotë William Grant.

I duhet kohë për ta mashtruar Jan Erikun. Por, pas 30 minutave në telefon, pensionisti fillon t’ia tregojë të dhënat e kartelës së tij bankare.

Regjistrimi audio është ruajtur nga kompania me emrin “William Sweden scammed”. BBC-ja e ka marrë dosjen nga një ish-punonjës, por kompania nuk ishte përpjekur shumë për ta fshehur. Në fakt, ua kishte dorëzuar rekrutëve të rinj si pjesë të një trajnimi të kompanisë.

Ky ishte një mësim se si mund të mashtroni.

Mashtrimi

Për më shumë se një vit, “BBC Eye” ka hetuar një rrjet global të tregtarëve mashtrues me qindra marka të ndryshme të investimeve me të cilat kanë mashtruar klientët si Jan Erik, duke u vjedhur më tepër se një miliard dollarë.

Hetimi ka zbuluar për herë të parë shkallën e madhe të mashtrimit, si dhe identitetet e këtij rrjeti të fshehtë të individëve që duken prapa tij.

Rrjeti njihet nga Policia si grupi “Milton”, një emër që fillimisht ishte përdorur nga vetë mashtruesit, por ishte braktisur në vitin 2020. Janë identifikuar 152 marka, përfshirë edhe Solo Capitals, që duket se janë pjesë e rrjetit.

Me këtë skemë mashtrojnë investuesit duke u marrë mijëra e në disa raste edhe qindra e mijëra euro.

Madje, një markë investimi i grupit Milton sponsorizoi edhe një klub spanjoll të futbollit të nivelit të lartë dhe u reklamua në gazetat kryesore, duke u dhënë besueshmëri investuesve të mundshëm.

Në nëntor, “BBC Eye” shoqëroi Policinë gjermane dhe gjeorgjiane në bastisjet në qendrat e thirrjeve në kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi. Në ekranet e kompjuterit shiheshin numra rresht të investuesve britanikë. U telefonuan disa prej tyre dhe u bisedua me qytetarët britanikë të cilët thanë se sapo kishin investuar para. Në një tavolinë kishte një bllok shënimi me dorë me emrat e personat dhe detaje të dobishme: “Pronar i shtëpisë, pa përgjegjësi”; “50 mijë kursime”; “Nga Polonia, shtetas britanik”.

Pranë emrit të një britaniku, një shënim thoshte: “Kursime më pak se 10 mijë, shumë frikacak, duhet të mashtrohet së shpejti”.

Shumica e viktimave pranuan pasi e panë reklamën në rrjete sociale.

Brenda 48 orëve zakonisht ata morën një telefonatë nga dikush që u thoshte se do të përfitonte nga 90 për qind të investimit në ditë. Në anën tjetër të telefonimit, zakonisht është një “Call center” me shumë nga veçoritë e një biznesi legjitim, si teknologji, departament, targete mujore, bonuse dhe tregtarët më të mirë.

Disa qendra telefonike lëshojnë edhe muzikë në sfonde. Por, ka edhe elementë që nuk do t’i gjenit në një biznes legjitim, si udhëzime me shkrim se si t’i identifikoni dobësitë e një investuesi potencial dhe t’i ktheni ato dobësi kundër tyre.

Që nga telefonata e parë, viktimat mund të drejtohen te një kompani e rregulluar apo nganjëherë edhe një entitet i parregulluar jashtë vendit. Disa viktima që u regjistruan në markat e rregulluara të brendit Milton drejtohen nga ndërmjetësi i tyre që t’i vendosin paratë në një tregti të bërë për t’i humbur paratë e klientit e për t’i siguruar fitime ndërmjetësit – një praktikë që është e paligjshme në Mbretëri të Bashkuar.

Disa viktima udhëzohen të shkarkojnë një softuer që i lejon mashtruesit të kontrollojnë nga distanca kompjuterin e tyre dhe të bëjnë tregti për ta – gjithashtu e paligjshme.

Sipas ish-punonjësve të markave të grupit Milton, disa klientë mendojnë se po bëjnë tregti të vërtetë, por paratë e tyre thjesht po fshihen.

“Viktimat mendojnë se kanë një llogari të vërtetë me kompaninë, por në të vërtetë nuk ka ndonjë tregti, është vetëm simulim”, tha Alex, një ish-punonjës që punonte në një zyrë të grupit Milton në Kiev.

Për të kuptuar më mirë se si funksionon mashtrimi, gazetari i BBC-së u paraqit si një tregtar aspirues dhe kontaktoi Coinevon, platformën tregtuese të grupit Milton.

Ne u lidhëm me një këshilltar që tha se quhej Patrick dhe ai na tha se do të na kthehen “70%, 80% deri 90% të investimit brenda një dite”.

Ai na tha të dërgonim Bitcoin në vlerë 500 dollarë si depozitë për ta filluar tregtinë.

Patrick i bëri presion tregtuesit të dërgonte pasaportën dhe pasi i dha një false, ne ishim në gjendje të vazhdonim të operonim me një llogari për afro dy muaj, para se Coinevo ta zbulonte se ishte pasaportë false. Në atë pikë, Patrick shkroi email, duke sharë dhe duke ndërprerë kontaktin.

Mirëpo, paratë e depozituara nga gazetari i BBC-së ishin në sistem tashmë. BBC ishte në gjendje të gjurmonte, ndërsa po ndaheshin në pjesë të vogla nëpër kuleta të ndryshme të kriptovalutave, të gjitha që duket se janë të asociuara me grupin Milton.

Louise Abbott, një jurist që është i specializuara sa i përket fushës së mashtrimit, ka ekzaminuar rrjedhën e parave dhe tha se është “një krim i organizuar i shkallës së gjerë”.

Arsyeja pse paratë janë shpërndarë në aq shumë kuleta, Abbott thotë është për ta “bërë më të komplikuar gjetjen e parave”.

Shënjestra perfekte

Viktimat e këtyre mashtrimeve me anë të tregtisë me telefon shpesh bien pre e rrethanave të veta financiare dhe sociale. Njerëzit që zbulojnë se kanë kursime të mëdha, shpesh shtyhen të investojnë shuma të mëdha. Njerëzit që janë të vetmuar shoqërohen me mashtruesit. Si një pensioniste kohëve të fundit, Jane (emrin i së cilës është ndryshuar), që ishte objektiv i përsosur. Ajo sapo kishte hequr dorë nga puna vullnetare dhe kishte një shumë kursimesh rreth 20 mijë funte që mendonte t’i investonte me mençuri, me të cilat mund të plotësonte pensionin e saj në vitet në vijim.

Në qershor të vitit 2020, gjatë mbylljes së parë shkaku i pandemisë, ajo pa një reklamë në internet për një kompani të quajtur EverFX.

Në atë kohë, EverFX ishte një prej sponsorëve kryesorë të skuadrës së madhe spanjolle të futbollit Sevila FC. Yjet e klubit kishin reklamuar nëpër rrjete sociale këtë platformë të tregtisë – kishte vërejtur Jane – ajo rregullohej nga Autoriteti Financiar i Mbretërisë së Bashkuar.

Jane i dërgoi EverFX një mesazh në faqen e tyre në internet dhe i thirri përsëri dhe u lidh me dikë që i thanë se ishte një tregtar i vjetër. Ai i tha asaj se po telefononte nga Odessa në Ukrainë dhe quhej David Hunt. Theksi i tij tingëllonte si i një personi nga Evropa Lindore, tha Jane, por ajo e pëlqeu atë në çast.

“Ai me të vërtetë i dinte gjërat e tij, dinte se si funksiononin të gjitha tregjet. Unë vërtet rashë në këtë”, tha Jane.

Së shpejti ata po flisnin thuajse çdo mëngjes dhe Jane po zbulonte se për çfarë i duhen paratë, riparime të shtrenjta të çatisë, një shtytje për pensionin. Hunt i përdori këto informata kundër saj, tha ajo, duke i thënë asaj se disa pazare do “t’ia siguronin çatinë” dhe disa “do ta ndihmonin për të ardhmen”.

Gjatë muajve vijues, Jame investoi rreth 15 mijë funte. Por, investimet e saj nuk po ecnin mirë. Hunt e këshilloi t’i tërhiqte paratë dhe t’i investonte në një platformë tjetër tregtuese, BproFX, ku do të mund të kishte fitime më të mëdha.

Në atë moment, Jane kishte filluar t’i besonte plotësisht David Huntin.

“Ndihesha sikur e njihja mirë dhe mendova se kishte në zemër interesat e mia. Kështu që u pajtova ta ndiqja”, thotë Jane.

Por, ajo nuk e dinte se BproFX ishte një ent i parregulluar, me seli në Dominikë. Në realitet, status rregullator i EverFX në Mbretërinë e Bashkuar nuk e ndaloi këtë kompani që t’i mashtronte britanikët, por lëvizja për te BProFX i hoqi Janet edhe pak shpresa që kishte që të mbrohej me ligje të Britanisë së Madhe. BBC gjeti disa viktima që transferuan paratë në kompani të parregulluara jashtë vendit në këtë mënyrë.

Në shtator të vitit 2020, Jane ra dakord të investonte 20 mijë funte në BProFX dhe Hunt e këshilloi atë të bënte investime të ndryshme gjatë muajve në vijim. Por, disi ajo vazhdonte të humbte para.

Viktimat tjera i thanë BBC-së se ishin mashtruar në këtë mënyrë.
Londinezi Barry Burnett tha se kishte nisur të investonte pasi pa një reklamë të EverFX, por pas disa fitimeve fillestare, ai papritmas humbi mbi 10 mijë funte në 24 orë. Personi që po e këshillonte i tha që të investonte edhe 25 mijë funte për ta nxjerrë veten nga situata.

“Duhet të kem marrë dhjetëra telefonata për afro dy orë. Njerëzit po më lusnin të fusja më tepër para”, thotë Barry.

Jane ishte përballur me presion të ngjashëm nga David Hunt.

“Ai vazhdoi të më thoshte se sa më shumë të fusja para aq më tepër do të rikuperoja”, tregon Jane.

Në vend të kësaj, të dy më në fund vendosën të hiqnin dorë. Barry humbi 12 mijë funte, e Jane 27 mijë funte.

“Jam i tmerruar, i mpirë”, thotë Barry.

Të dy kishin bërë dhjetëra telefonata për të rikuperuar humbjet, por pa rezultat. David Hunt më nuk iu përgjigj thirrjeve të Janet. Ajo e dinte se kishte humbur çdo gjë.

“Dita kur e kuptova se isha mashtruar ishte ditëlindja ime. Ishte pandemi dhe familja kishte organizuar një aheng të vogël në natyrë dhe më solli një tortë. Unë po përpiqesha të isha e lumtur, por u ndjeva shumë e poshtëruar. Ndjeva sikur nuk doja të isha më në këtë planet”, thotë Jane.

Do të kalonin muaj para se ajo të merrte guximin për t’i treguar dikujt se çfarë kishte bërë.

Duke i bërë pjesët bashkë

Operacionet e grupit Milton janë hetuar më parë, nga gazeta suedeze “Dagens Nyheter” dhe të tjerat, por BBC u përpoq t’i identifikonte figurat e larta që qëndronin prapa këtij mashtrimi global.

Filluam duke analizuar publikisht dokumentet e korporatës për të bërë lidhje mes kompanive dhe grupit Milton. Pesë emra u shfaqën vazhdimisht, të listuar si drejtorë të platformave tregtare të Miltonit dhe kompanive mbështetëse – David Todua, Rati Tchelidze, Guram Gogeshvili, Joseph Mgeladze dhe Michael Benimini.

Pesë emrat u futën në “Panama Papers”, një rrjedhje masive e vitit 2016 që detajonte kompanitë “offshore” dhe u zbulua se katër prej tyre – Tchelidze, Gogeshvili, Mgeladze dhe Benimini – u renditën si drejtorë ose figura të larta të një grupi kompanish “offshore” apo kompani filiale që i paraprinë grupit MIlton.

Shumë prej këtyre kompanive u kthyen në një mënyrë te një figurë: David Kezerashvili, një ish-zyrtar qeveritar i Gjeorgjisë që kishte shërbyer dy vjet edhe si ministër i Mbrojtjes i këtij vendi.

Kezerashvili ishte shkarkuar nga posti i ministrit dhe më vonë u dënua në mungesë për përvetësimin e më tepër se 5 milionë euro nga fondet qeveritare. Në kohën e dënimit të tij, ai jetonte në Londër dhe Britania e Madhe refuzoi kërkesën e Gjeorgjisë që ai të ekstradohej.

Nuk kishte dokumente publike në dispozicion që e lidhnin Kezerashvilin me këtë rrjet para-Milton, por kur u shikua te “Panama Papers”, emri i tij u shfaq vazhdimisht, duke e identifikuar atë ose si themelues të kompanisë mëmë ose si aksionarë fillestarë. Në prapaskenë, Kezerashvili duke se ishte në qendër të këtij rrjeti.

Kur bëhet fjalë te grupi Milton, nuk kishte një dokumentacion të disponueshëm publikisht që e lidhte Kezerashvilin me kompanitë e mashtrimit dhe nuk kishte asnjë provë që ai kishte ndonjë interes direkt financiar në markat e Miltonit.

Por disa ish-punonjës, në kushte anonimiteti, kanë thënë se kishin pasur kontakt direkt me Kezerashvilin dhe e dinin se ai ishte i përfshirë në grupin Milton.

Kezerashvili shpesh ka promovuar platforma mashtruese të tregtisë në llogaritë e tij personale në rrjete sociale.

Në faqen e rrjeteve të biznesit “LinekdIn”, ai ka përdorur llogarinë e tij thuajse ekskluzivisht për të promovuar vende pune dhe për të shpërndarë postime rreth kompanive të lidhura me Miltonin.

BBC ka qenë në gjendje të gjejë një sërë provash që e lidhnin ish-ministrin e Mbrojtjes së Gjeorgjisë me markat Milton. Disa kompani në provë të Kezerashvilit kanë përdorur servera privat të emailave në të cilën përdorues tjerë të vetëm ishin kompanitë e grupit Milton. Firma e tij, Infinity VC, zotëronte markat dhe domenet për kompanitë që ofronin teknologjik për platforma të tregtisë për mashtruesit.

Kezerashvili po ashtu ishte pronar i zyrës në Kiev që shërbente si shtëpi dhe “Call Center” për EverFX dhe firmat e tjera që ofronin softuerë. Kjo zyrë ishte bastisur nga policia në nëntor. Po ashtu kishte një bllok të zyreve në Tbilisi që përmbante disa prej firmave të njëjta të teknologjisë.

Kur BBC hulumtoi profilet në rrjete sociale të katër burrave të grupit Milton, u bë e qartë nga fotot e postuara nga dasmat dhe ngjarjet e tjera, se ata kishin lidhje sociale me Kezerasahvilin. Kezerashvili është shok në Facebook me të paktën 45 personat të lidhur me mashtrimet e grupit Milton dhe një nga katër figurat e larta të identifikuara nga BBC-ja në këtë mashtrim është kushëri i ish-ministrit të Mbrojtjes së Gjeorgjisë.

BBC-ja gjurmoi Kezerashvilin në rezidencën e tij 18 milionë funtesh në Londër dhe kërkoi të fliste me të, por ai tha se nuk ishte i disponueshëm. Ai i tha BBC-së, nëpërmjet avokatëve të tij, se mohon kategorikisht përfshirjen me grupin Milton apo se fitoi financiarisht nga mashtrimet. Ai tha se EverFX, sipas dijenisë së tij ishte një biznes legjitim dhe avokatët e tij argumentuan se lidhjet që janë gjetur me njerëzit dhe kompanitë teknologjike prapa kësaj “nuk dëshmojnë asgjë”.

Chelidze dhe Gogeshvili gjithashtu kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke thënë se EverFX ishte platformë legjitime dhe e rregulluar. Ata mohuan se kanë njohur për Miltonin apo ndonjë lidhje mes EverFX dhe markave që janë identifikuar nga BBC. Thanë se ato marka kanë përdorur markën e EverFX për të ngatërruar përdoruesit. Ata thanë se EverFX kurrë nuk ka pasur një portofol të kriptovalutave dhe nuk kishin kontroll se si pagesat e palëve të treta po drejtonin fondet.

Mgeladze po ashtu ka mohuar akuzat, duke thënë se kurrë nuk ka pasur në pronësi ndonjë qendër të thirrjeve telefonike, që shpërdoronin investimet me mashtrime. Ai po ashtu tha se nuk ka njohuri për grupin Milton.

Benimini nuk u është përgjigjur pyetjeve.

EverFX mohoi pretendimet, duke thënë se ishte një platformë legjitime dhe e rregulluar, ku shpjegoheshin plotësisht rreziqet. Ata thanë se zbuluan rastin e Barry Burnett dhe zbuluan se ai vetë ishte përgjegjës për humbjet e tij.

Në rastin e Janet, ata thanë se humbjet e saja ishin rezultat i një lëvizje te një kompani që nuk ka lidhje me EverFX.

Sevilla FC i tha BBC-së se sapo i kishte mbaruar kontrata me EverFX. Nga klubi i La Ligas tha se nuk kanë kontakte me kompaninë.

Në Mbretëri të Bashkuar ka pasur më tepër se 4 miliardë funte mashtrim vitin e kaluar dhe mashtrimet nëpërmjet investimeve online thuhet se vlejnë me qindra e miliona funte. Por, Policia britanike është përballur me kritika nga viktimat për mungesë veprimi.

Jane ka ndjekur rrugë të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, për të ndjekur fondet e saja të humbura të pensionimit, por nuk arriti askund.

Ajo bëri gjënë e vetme që mund të bënte. U fut në faqe të ndryshme interneti dhe shkroi komente për markat tregtare që e mashtruan.

“Unë thjeshtë doja t’i paralajmëroja tjerët që të mos bien në kurth. Shpresoj që të tjerët t’i shohin këto”, tha Jane.

Përktheu Shkumbin Sekiraqa /Koha/