Gjilan.AL

G-Lan City

Ndërron jetë në paraburgim në Izrael udhëheqësi palestinez i grupit militant

Khader Adnan, udhëheqës i grupit militant Xhihadit Islamik, humbi jetën të martën në një objekt paraburgimi izraelit, pas një greve urie gati tre-mujore. Lajmi u njoftua nga shërbimi i burgjeve të Izraelit. Vdekja e tij vjen në një kohë tensionesh në rritje mes Izraelit dhe palestinezëve.

Khader Adnan, organizonte prej më shumë se një dekade greva të zgjatura urie, një formë e re proteste kundër ndalimeve në masë të palestinezëve nga autoritetet izraelite, pa akuza apo gjyqe. Të martën, 45-vjeçari u bë grevisti i parë afatgjatë i urisë, që humb jetën në një paraburgim izraelit.

Palestinezët bënë thirrje për një grevë të përgjithshme në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Po kështu më vonë gjatë ditës priten protesta. Militantët palestinezë lëshuan nga Gaza një breshëri raketash në drejtim të fushave të zbrazëta të Izraelit. Në një deklaratë të grupit militant Xhihadi Islamik thuhej se “lufta do të vazhdojë e nuk do të ndalet”.

Vdekja e Khader Adnanit vjen ndërsa Izraeli drejtohet nga një prej qeverive më konservatore në historinë e vendit. Burgjet dhe të burgosurit palestinezë mbikëqyren nga ministri Itamar Ben-Gvir, një politikan ultra-nacionalist, i cili ka marrë masa për të forcuar kufizimet ndaj të burgosurve, përfshirë shkurtimin e kohës të qëndrimit të tyre në dush si dhe mbylljen e furrave të bukës brenda burgut.

Zoti Ben-Gvir tha të martën se autoritetet e burgjeve duhet të shfaqin “zero tolerancë ndaj grevave të urisë dhe trazirave në burgjet e sigurisë së lartë”, si dhe urdhëroi që të burgosurit të mbahen brenda në qelitë e tyre.

Ndërsa dhuna izraelito-palestineze është rritur, numri i të ndaluarve pa akuza dhe gjyq, është rritur në më shumë se 1,000 gjatë vitit të kaluar, shifra më e lartë në dy dekada.

Për të paraburgosurit e kësaj natyre, grevat e urisë janë shpesh zgjidhja e fundit. Disa kanë organizuar greva urie që zgjasin me muaj, shpesh duke rrezikuar jetën. Qeveritë e mëparshme izraelite ndonjëherë kanë pranuar disa nga kërkesat e tyre për të shmangur vdekjet në paraburgim.

Këtë herë, paralajmërimet për përkeqësimin e shëndetit të Khader Adnanit u injoruan, thanë përfaqësuesit e organizatës “Mjekët për të drejtat e njeriut të Izraelit”.

Organizata dhe avokati i zotit Adnanit thanë se u kishin kërkuar autoriteteve izraelite që ta transferonin atë për trajtim në spital. Grupi i të drejtave tha se një mjek që kishte vizituar zotin Adnan disa ditë më pare kishte paralajmëruar se jeta e tij ishte në rrezik.

Zëdhënësi i Xhihadit Islamik Dawood Shahab, tha se vdekja e Khader Adnanit përbën një vepër penale, si dhe akuzoi autoritetet izraelite për përgjegjësi të plotë e të drejtpërdrejtë lidhur me rastin. /VOA/