Gjilan.AL

G-Lan City

Murseli: Infrastruktura në Gjilan është e mjerueshme, liga është amatore

15 vjet shtet. Të dielën e 17 shkurtit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj derisa sot festohet përvjetori i 15-të i kësaj dite historike për vendin tonë. Për këtë periudhë shtetndërtimi, ka pasur shumë vështirësi, e sidomos edhe në sport.

Infrastruktura, veçanarisht, në futboll, është në gjendje të mjerueshme, derisa Kosova momentalisht e ka vetëm një stadium që i plotëson kriteret ndërkombëtare – ai është “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Presidenti i Dritës, Valon Murseli ka thënë për FrontOnline se kushtet janë të mjerueshme.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në Kosovë që plotëson kriteret për t’u zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare.

Në Federatën e Futbollit e Kosovës (FFK) e kanë pranuar vitin e kaluar se fusha është dëmtuar shumë dhe kanë kërkuar nga Qeveria që stadiumin “Fadil Vokrri” ta shpallë objekt të rëndësisë së veçantë dhe të interesit nacional.

Stadiumi i Prishtinës shfrytëzohet nga Përfaqësueset e Kosovës në të dyja konkurrencat, si te seniorët, ashtu edhe në grupmoshat e reja.

Në nivel klubesh kanë luajtur Prishtina, Ballkani, Drita, Gjilani e Llapi. Derisa, klubi i Prishtinës është ai që “vuan” më së shumti pasi në çdo periudhë të ndeshjeve ndërkombëtare, duhet të luajë si vendas në ndonjë stadium tjetër për shkak të përgatitjeve në “Fadil Vokrri”.

Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë ishte vendi ku Përfaqësuesja e Kosovës e shkroi historinë, duke e zhvilluar ndeshjen e parë ndërkombëtare. Por, sot, ky stadium falë neglizhencës së instuticioneve përgjegjëse është shndërruar në një gërmadhë.

Poashtu, falë infrastrukturës së keqe kanë vuajtur edhe Drita e Gjilani, që pas shumë e shumë premtimeve, edhe sot, nuk e kanë një stadium adekuat.

Valon Murseli, aktualisht president te Drita e Gjilanit, është një prej donatorëve më të mëdhenj në futbollin e Kosovës.

Ai e ka quajtur të “mjerueshme” infrastrukturën e futbollit në Kosovës, sidomos në Gjilan.

“Unë dhe Flamur Bunjaku nuk jemi marrë me këto gjëra, nuk e dimë situatën siç ka qenë më herët, por vetëm në pesë vitet e fundit. Ka pasur shumë premtime që punimet do të kryhen, por nuk janë kryer kurrë. Infrastruktura në Gjilan është e mjerueshme”, ka thënë ai.

Për fund, ai ka treguar se është e vështirë t’i kryejnë aktivitetet në ato kushte.

“Nuk kemi asgjë. Shumë e vështirë është t’i zhvillojmë aktivitetet. Paramendoni, aty ku i zhvillojmë ndeshjet, nuk mund të futen as 100 persona brenda. Edhe financiarisht edhe për futboll është vështirë. Kemi qejf t’i themi vetes se jemi profesionistë, por për mendimin tim liga është amatore. Sot luajmë me artificial, nesër natyral. Kërkah hiç. Shpresojmë se po kryhen së shpejti”, deklaroi për FrontOnline Valon Murseli.

Premtime pa fund, stadiumi në Gjilan për “gjynah”

Premtime e shumë premtime, mirëpo në fund asgjë. Stadiumi i Gjilanit ku luajnë dy klubet që kanë luftuar për titull këto vitet e fundit vazhdon të jetë në mëshirën e fatit, e tani edhe fëmijët e qytetit po luajnë në të.

Që sa kohë ka premtime të shumta se do të nisin punimet me shpresën që të përmirësohen kushtet në stadiumin e qytetit, por deri më tani të gjitha kanë qenë vetëm fjalë.

Si Drita ashtu edhe Gjilani janë detyruar që këtë edicion ndeshjet si vendas ti zhvillojnë në stadiume ndihmëse për shkak të kushteve të tmerrshme.

Premtime të shumta, por punimet ende s’kanë nisur.

Kujtojmë, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka premtuar më 25 dhjetor se pas 90 ditëve do të përfundojë hartimi i projektit e pastaj menjëherë do të nisin punimet.

Kësisoj, si Drita ashtu edhe Gjilani, sidomos kjo e fundit shkaku i gjendjes së rëndë financiare, po vazhdojnë të kenë probleme të mëdha në zhvillimin e ndeshjeve nikoqire.