Gjilan.AL

G-Lan City

Milani sot takimin vendimtar për transferimin e Zaniolos

Milani e ka seriozisht për Zaniolon. Pas vendimit të sulmuesit italian për t’u larguar nga Roma, garës për shërbimet e tij, së fundi i janë bashkuar edhe kampionët në fuqi të Italisë.

Mediat italiane raportojnë se Maldini e Massara kanë kontaktuar me agjentin e Zaniolos, për të diskutuar mbi mundësinë e veshjes së tij kuqezi që në merkaton e janarit.

Paraprakisht mësohet se vetë Zaniolo sheh me sy të mirë një transferim në Milano, aty ku kuqezinjtë janë gati t’i ofrojnë 3.5-4 milionë euro rrogë vjetore, ndërsa tani mbetet të zhvillohen negociatat me Romën.

Këta të fundit duan ta shesin sulmuesin menjëherë dhe të arkëtojnë të paktën 40 milionë euro, duke qenë se 15% të vlerës së tij të kartonit, i ka ende Interi.

Nga ana tjetër Milani është gati ta marrë në huazim për 3 milionë euro dhe të ruajë të drejtën e blerjes për 25 milionë euro në fund të sezonit, në rast të kualifikimit në zonën Champions.

Gjatë ditës së sotme, me rastin e transfertës kryeqytetase ndaj Lazios, drejtuesit e Milanit pritet të takohen me ata të Romës, për të hedhur bazat e një transferimi të Zaniolos në kryeqendrën ekonomike të Italisë.