Gjilan.AL

G-Lan City

Mbi një javë pas tërmetit, në Turqi vazhdojnë të nxirren të gjallët nga rrënojat

Pas gati 200 orësh të varrosur në rrënojat e një ndërtese të shembur në Turqinë juglindore, një 18-vjeçar u nxor i gjallë nga ekipet e shpëtimit të martën në mëngjes, duke u bërë shpëtimi i tretë i tillë i pagjasë i ditës mbi një javë pas një tërmeti me magnitudë 7.8 ballë që rrafshoi qytete, vrau dhjetëra mijëra njerëz dhe zhvendosi shumë të tjerë në Turqi dhe Siri.

Deri të martën vonë, pesë persona të tjerë u shpëtuan – momente këto të ndritshme në një nga periudhat më të zymta në kujtesë për Turqinë, e cila ka humbur më shumë se 31,000 njerëz nga tërmeti që kur shkundi rajonin herët në 6 shkurt. Organizatat e ndihmës thonë se 72 orët e para pas një fatkeqësie natyrore janë një periudhë kohore vendimtare për gjetjen e të mbijetuarve, raporton “NY Times”, transmeton Klankosova.tv.

Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë dhe transmetuesit kombëtarë ndanë pamjet e shpëtimit mes ankthit në rritje për numrin e madh të njerëzve të mbetur të pastrehë dhe të uritur, arrestimet e kontraktorëve të dyshuar se mbanin përgjegjësi për ndërtesat e shembura dhe akuzat e ngarkuara politikisht se kush duhet të mbajë fajësinë.

Në qytetin e shkatërruar të Adiyamanit, pamjet shfaqën njerëz me kapela dhe jelekë të kuq e të verdhë të ndezur dhe jelekët e punonjësve të ndihmës që rrethonin Muhammed Cafer Cetinin, gjë që ishte në kontrast me lëkurën dhe flokët e tij të mbuluara nga pluhuri.

Pasi e gërmuan atë nga hekuri i përdredhur dhe blloqet e çimentos, ata e lidhën atë me pajisjet e ndihmës së parë dhe e mbështollën me një batanije mbijetese vezulluese. Ata më pas e bartën me delikatesë në një barelë mbi mbetjet nën të cilat ishte varrosur dhe drejt një ambulance që po priste ta çonte në spital. Gjendja e tij nuk ishte menjëherë e qartë.

Shpresa erdhi edhe në qytetin e Kahramanmaras, pranë epiqendrës së tërmetit, ku punëtorët nxorën dy vëllezër, Muhammed Enes Yeninar, 17 vjeç dhe Abdulbaki Yeninar, 21 vjeç.

Sytë e të rinjve ishin të mbyllura dhe krahët e tyre ishin të lidhur në barela ndërsa shpëtimtarët me xhaketa dhe jelekë të shndritshëm i morën me vete. Të dëshpëruar për lajme të mira, punëtorët përqafuan njëri-tjetrin dhe brohoritën ndërsa vëllezërit u nisën për në spital.

Atje, vëllai i madh i shpjegoi një gazetari të agjencisë së lajmeve “Ihlas” se si të dy kishin mbijetuar nën rrënoja me ndihmën e suplementeve që ai merrte si “body builder”.

“Frymëmarrja ishte e lehtë”, tha ai. “Pimë urinën tonë. Morëm proteinë pluhur”.

Nëna e tyre ishte shpëtuar nga rrënojat dy ditë më parë dhe po trajtohej në një spital në qytetin Kayseri për lëndime në këmbë. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

The post Mbi një javë pas tërmetit, në Turqi vazhdojnë të nxirren të gjallët nga rrënojat appeared first on Klan Kosova.

[#item_full_content]