Gjilan.AL

G-Lan City

Kv Drita fiton trilerin e volejbollit

Kishin topin për match point, por krejt mundi për pak t’u shkoj huq. Megjithatë në fund KV Drita – femrat fitoi trilerin e volejbollit me rezultat 3:2 në sete ndaj Skenderajt.

KV Skenderaj, që kishte dy ndeshje të fituara ndaj Dritës, kishte ardhur në Gjilan që të fitojë edhe ndeshjen e tretë dhe të ngre kupën e kampionit në Gjilan, gjë e cila nuk ndodhi dhe tashti kush do të bëhet kampion duhet pritur së paku deri të premten, kur do të zhvillohet ndeshja në Skenderaj, shkruan kryelajmi.com.

KV Drita shumë mirë e ka nisur ndeshjen duke e fituar setin e parë me rezultat 25:21, duke mos e vënë në pikëpyetje asnjëherë këtë set, ngase tërë kohën ishte në epërsi. Skenderaj shkonte duke e rritur ritmin e lojës,, por gjilanaset e fituan edhe setin e dytë, kësaj radhe me rezultat 25:23.

Në setin e tretë, gati se lojë e njëjtë, në fund Drita po udhëhiqte me rezultat 24:23 dhe i duhej një pikë që të fitonte tërë ndeshjen, por pas një drame të vërtetë mysafiret e morën këtë set me rezultat 27:29. Loja e Dritës shkonte duke pësuar rënie, derisa ajo e Skenderaj vazhdimisht po bëhej më e mirë, andaj edhe setin e tretë e fituan mysafiret, bile kësaj radhe me rezultat bindës 20:25.

Mysafiret që i kishin kthyer sytë kah trofeu që gjendej në sallë sigurt po marshonin drejt titullit kampion, por pas një serie të mirë të vashave kaltër e bardhë, rezultati është kthyer në dobi të tyre dhe në fund shifrat në semafor shënonin 15:10 për Dritën dhe rezultat përfundimtar 3:2 në sete.

Loja e Skenderajt tërë kohën është bazuar te dy lojtaret e ardhura përtej Atlantikut, nga Kuba, derisa te KV Drita kësaj radhe kanë shkëlqyer Kadriu e Bislimi, të përkrahura edhe nga Prenga, Avdyli, Shabani e Strumbler, derisa teknikja Erbruga kësaj radhe ndonëse u duk se u lëndua kah fundi i ndeshjes ishte më e kujdesshme dhe dha kontribut në fitoren e Dritës, ekip të cilin në fund diti t’a motivojë kryetrajneri Lorik Iliazi.

Rezultati i përgjithshëm tashti është Drita – Skenderaj 1:2, ndeshja e radhës bartet në Skenderaj (të premten) dhe ndeshja e pestë eventuale do të luhej në Gjilan (të dielën), ngase ashtu thotë kalendari Federatës Evropiane të Volejbollit. Kampione e Kosovës shpallet ajo ekip që arrin tri fitore. /kryelajmi/