Gjilan.AL

G-Lan City

Konsiderohet klubi më i organizuar në Kosovë, por Drita po dëshpëron me paraqitje dobëta në fushë

Drita është padyshim klubi më i organizuar në vitet e fundit.

Që nga ardhja e dy pronarëve të rinj, gjilanasit nuk kanë pasur asnjë moment problem me paga dhe njihet si skuadër me kushtet më të mira për futbollistët e tyre.

Por kushtet e mira jashtë fushës që kanë futbollistët nuk po bëjnë që ata të tregojnë më të mirën në fushë.

Gjilanasit e kanë nisur me humbje sezonin pranveror dhe kjo ka revoltuar edhe tifozët nëpër rrjete sociale.

Përkundër se lojtarët janë me kushtet më të mira në Kosovë, në fushë ata nuk kanë fare dallim nga kolegët e tyre të skuadrave të pjesës së poshtme të tabelës që marrin nga katër ose pesë herë më pak para.

Trepça ’89 sot arriti t’i mposht, derisa në xhiron e parë i kishte ndalur në barazim.

Me paraqitjen e zbehtë të disa ‘yjeve’ të Dritës në fushë, vështirë se titulli i kampionit do të rikthehet në Gjilan.

Edhe pse ishin kampion vjeshtor me pikë të barabarta me Ballkanin, qysh në xhiron e parë të stinorit pranveror Drita mbetet tre pikë mbrapa kampionit në fuqi.

Trajneri i ri i Dritës, Arsim Thaqi u ankua për terrenin e vështirë, por në atë terren luajti edhe skuadra vendase dhe arriti të shënonte gol.

Gjithsesi Thaqin e pret punë e madhe nëse dëshiron ta rikthejë Dritën te titulli pasi angazhimi i futbollistëve këtë edicion lë shumë për të dëshiruar.

Kujtojmë që Drita u turpërua edhe në Kupën e Kosovës, ku para adhuruesve të vet pësoi humbje nga skuadra e Ligës së Parë, Liria, edhe pse në atë takim ishte gjithë formacioni i parë. /Gazeta Olle/