Gjilan.AL

G-Lan City

KFOR-i i përkushtuar për sigurinë në veri

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka dënuar incidentin e së hënës mbrëma ku një qytetar serb u plagos me armë zjarri në Zveçan. Ka thënë se janë të përkushtuar ta ruajnë sigurinë në veri.

KFOR-i në reagim të mërkurën ka thënë se pret që institucionet e Kosovës ta kryejnë hetimin e plotë të ngjarjes.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon incidentin e së hënës mbrëma ku një serb i Kosovës u plagos me armë zjarri në komunën e Zveçanit. KFOR-i pret që institucionet në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjes dhe t’i mbajnë përgjegjësit para drejtësisë. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në reagim.

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur”, vijon reagimi i KFOR-it.

Dënim për incidentin ka shprehur edhe shefja e UNMIK-ut, Carolina Ziadeh, ndërsa ka thënë se merr parasysh punën e institucioneve të Kosovës për ta hetuar këtë rast.

“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, dënon të shtënat në veri të Kosovës të hënën mbrëma, gjatë së cilës u plagos një serb i Kosovës dhe merr parasysh arrestimin e policëve të dyshuar për përfshirje në këtë incident. Ajo i uron viktimës shërim të shpejtë. Ziadeh pranon deklaratat e institucioneve të Kosovës se do të nisë një hetim i plotë. Kjo është thelbësore për drejtësinë, përgjegjshmërinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo bën thirrje për udhëheqje të përgjegjshme për të ruajtur qetësinë dhe për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve”, thuhet në reagimin e UNMIK-ut.

Lidhur me rastin janë arrestuar katër zyrtarë policorë. Njëri nga ta akuzohet për “vrasje në tentativë”, ndërsa po ashtu të katër akuzohen për mosraportim të rastit. /Koha/