Gjilan.AL

G-Lan City

Kapitenia e parë grua, historia e 52-vjeçares që drejton anijen turistike në Vlorë: I vodha zanatin burrit!

Nëse shkon në vendin e ankorimit të anijeve turistike ne Triport, Vlorë, ajo që të bie në sy është kapitene Vali, të cilën e gjen duke bërë kontrollin e anijes turistike që ajo drejton.

Për 52-vjeçaren, Valentina Habibaj ditën kur mori për herë të parë timonin e anijes në duar theu dhe tabutë në këtë lloj profesioni, duke u shënuar si e para grua kapitene anijeje në qytetin e Vlorës.

“Ju bashkangjita pasionit të tim shoqi që gjithmonë e kishim ëndërruar këtë pjesë të kishim një barkë dhe të bënim këto ture. Unë thjesht me intuitën time dhe duke ndenjur gjithmonë pranë tij mund të them që ja vodha zanatin”, u shpreh kapitene Vali.

Turistët nuk janë mësuar të shohin një kapitene femër të drejtojë një anije.

“Reagimi ka qenë pozitiv, e para kur shikonin një femër habiteshin, por pastaj gjithmonë më kanë përgëzuar më kanë thënë bravo”, tha Valentina.

Sfidë për të ka qenë adaptimi në një profesion mashkullor.

“Isha e para që vura këmbë në këtë ambient burrash dhe pastaj pashë që erdhën edhe të tjera gra dhe kjo më vjen mirë që shprehim forcën dhe intuitën tone”, vijoi ajo.

Dashuria që i lindi për detin ja lehtësoi punën si drejtuese e anijes.

“Ka ndodhur natyrshëm, im shoq më thoshte mbaje pak timonin dhe në fillim isha pak e trembur por pastaj deti të jep një çlirim të madh. Pastaj unë u dashurova me këtë pjesë”, tregoi Valnetina per Euronews.

Por ky profesion për Valentinën nuk është rastësor.

“Mua ndoshta më thirri trashëgimia që kam pasur me anijet dhe me detin. Gjyshërit e mi si nga mami si nga babi kanë qenë detar, gjyshi nga babai ka pasur edhe anije por gjyshi tjetër ka qenë peshkatar shumë i zoti. Me ardhjen nga Çamëria hapi edhe peshkimin këtu, ka qenë peshkatari i parë, vlonjatët jetonin këtu por nuk e njihnin peshkun”, shpjegoi kapitenia.

Edhe mbështetësi kryesor, bashkëshorti tanimë e vlerëson si një nxënëse shembullore.

“Kapitenes i jap një notë të arsyeshme për guximin dhe që dëgjon shumë, pasi deti do të kesh eksperiencë dhe ajo tani navigon njësoj si mua,” – u shpreh kapiteni Jasin Habibaj. /Albeu.com/