Gjilan.AL

G-Lan City

Hyseni në inaugurimin e mamografisë në QKMF: Qasja e komunës është të destinalizojë sa më shumë shërbime shëndetësore

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni së bashku me nënkryetaren Leonora Morina – Bunjaku dhe drejtorin e Islamic Relief, Mohamed Soliman, ishin të pranishëm në inaugurimin e Mamografisë Dr “Nagip Rexhepi” në QKMF.

Kryetari Hyseni njoftoi se në bashkëfinancim me Islamic Relief, sot është bërë inaugurimi dhe funskionalizimi i pajisjes, e cila përdoret për diagnositifikimin e grave të cilat janë të prekura me kancer të gjirit.

“Ne kemi filluar këtë bashkëpunim qysh në fillimin e vitit të parë të qeverisjes dhe kryesisht jemi shoqëruar me disa probleme teknike por megjithatë prej momentit të nënshkrimit të memorandumit kemi qenë në dijeni se pajisja do të vijë në Gjilan dhe kjo ka qenë lajmi kryesor dhe më i rëndësishmi, ndërkohë që sot është dita që po e bëjmë inugurimin edhe të vendosjes dhe funksionalizimin e mamografisë”, tha kryetari Hyseni.

Ndër të tjera, Hyseni theksoi se bashkëpunimi me Islamic Relief, përveç që i shërben Komunës së Gjilanit, do të jetë edhe një lloj qendre regjionale e trajtimit të pacientëve që do të identifikohen përmes mamografisë.

Duke shpresuar që numri i pacienteve me kancer të jetë sa më i ultë, Hyseni potencoi se pjesa e preventivës për të cilën po punohet, do të jetë shumë e rëndësishme.

“I bashkohem thirrjes dhe shpresës se edhe pse po e funksionalizojmë këtë qendër, shpresojmë dhe besojmë që numri të jetë sa më i ultë i atyre që identifikohen, sepse është shumë serioze përmes së cilës edhe humbin shumë jetë, mirëpo pavarësisht kësaj pjesa e preventivës për të cilën jemi duke u angazhuar, do të jetë shumë e rëndësishme”.

Për këtë donacion, Hyseni falënderoi drejtorin e Islamic Relief për Kosovë dhe shtete tjera përreth, ku vlera e pajisjes është rreth 118 mijë euro. Prej tyre 78 mijë janë të financuara nga Islamic Relief, ndërsa 40 mijë euro janë nga Komuna e Gjilanit.

Mes tjerash, Hyseni tha se qasja e komunës është që të destinalizojë sa më shumë shërbime shëndetësore.

“Qasja jonë është që të destinalizojmë sa më shumë shërbime shëndetësore, që të jemi sa më afër qytetarëve”, tha kryetari Hyseni.

Vlen të theksohet se përveç pajisjes së mamografisë, Hyseni bëri të ditur se është edhe laboratori në Zhegër për analizat bazë hematologjike dhe biokimike, i cili pritet që të vijë në ditët në vijim. Ndërkaq, komuna ka aplikuar edhe për pesë laboratore tjera në fshtatrat e qytetit aty ku koncentrimi i shërbimeve është më i madh.​ /Radio Star/