Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria do të shqyrtojë kërkesat e KQZ-së dhe të institucioneve të sigurisë që duhet ta bëjnë vlerësimin e situatës së sigurisë rreth mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në veri. E KQZ-ja, të mërkurën, ka shtyrë për të tretën herë mbajtjen e mbledhjes rreth përcaktimit të vendvotimeve në katër komunat veriore
Për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor dhe institucionet e sigurisë duhet ta bëjnë vlerësimin e situatës.
Ajo, nëpërmjet një konference për media pas mbledhjes së kryesisë së Qeverisë, ka theksuar se ekzekutivi do t’u bindet kërkesave të KQZ-së.
“Në këtë drejtim, çfarëdo kërkese që ka për qeverinë KQZ-ja, ne obligohemi t’ia mundësojmë atë. Është përgjegjësi e KQZ-së në bashkëpunim me institucionet e sigurisë që të vlerësojnë situatën dhe të vendosin… Në momentin kur do të kemi informacione të tilla ta zëmë sikur zgjedhjet nuk do të duheshin të mbaheshin, atëherë sigurisht që do të japim qëndrimin tonë, përndryshe ne i bindemi kërkesave të KQZ-së”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Por në KQZ, të mërkurën është shtyrë për të tretën herë mbajtja e mbledhjes për përcaktimin e listës së qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok.
Zëdhënësi, Valmir Elezi, pa dhënë arsye për shtyrjen e mbledhjes, tha se për mbajtjen e saj po bëhet përgatitja e materialeve.
“Mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Jemi në përgatitje të materialeve për mbledhje, për mbajtjen e së cilës do t’iu njoftojmë me kohë”, ka thënë Elezi.
Burime të KOHËS patën treguar se, bazuar në rekomandimet paraprake nga komisionet komunale, zgjedhjet do të mund të organizohen në 10 qendra votimi – 7 shkolla në lokalitete të banuara kryesisht me shqiptarë dhe në oborret e tri stacioneve policore, atij në Leposaviq, stacionit në Zveçan dhe stacionit në Mitrovicë të Veriut, përderisa në zgjedhjet e fundit, ishin hapur 44 qendra votimi.
E përfaqësues të pesë vendeve të Quintit, në fund të marsit dolën me qëndrimin e përbashkët pro organizimit të zgjedhjeve më 23 prill, në përputhje me kërkesat e afatet ligjore dhe edhe pa Listën Serbe, subjekt ky që nuk u regjistrua për pjesëmarrje në proces. /Koha/