Gjilan.AL

G-Lan City

Eroll Salihu: Nuk është i vërtetë licencimi i FFK-së nga UEFA, ky proces nuk ekziston

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) siç duket nuk e ka ndërmend t’i ndalë skandalet e njëpasnjëshme.

Pas mos përmbushjes të disa kritereve në procesin e licencimit nga MKRS që ende është duke u shqyrtuar nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive, draft-statutit skandaloz, tani ka ardhur radha e një ”gënjeshtre” nga autoriteti më i lartë i futbollit kosovar, shkruan Gazeta Metro.

Gjatë ditës së djeshme në një njoftim në faqen zyrtare të saj, FFK’ja tha se është përmbyllur me sukses procesi i licencimit dhe auditimit nga UEFA.

”Gjatë javës që po e lëmë pas, Federata e Futbollit e Kosovës ka kaluar me shumë sukses një proces shumë të rëndësishëm, atë të licencimit dhe auditimit nga Departamenti i Licencimit i UEFA-s,” thuhej në njoftimin e tyre.

Mirëpo, sipas ish-sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni, Eroll Salihu, procesi i licencimit nga UEFA nuk ekziston për federatat e futbollit, por vetëm për klubet që bëjnë pjesë në ato federata.

Ai për Gazeta Metro thotë se udhëheqësit e FFK’së me në krye Agim Ademin, si kryetar i tyre e kanë lëshuar një gënjeshtër para Kuvendit të Jashtëzakonshëm ku më 27 janar do të votohet për miratimin e Statutit të ri dhe akteve tjera të nevojshme.

”Federata e Futbollit e Kosovës kur kishte aplikuar në vitin 2006 i kishte përmbushur kriteret për të hyrë në FIFA dhe UEFA. Dhe, asnjëherë nuk ndodh kjo që federatat e futbollit të licencohen, ato janë anëtare legjitime të FIFA’s dhe UEFA’s me të drejta të plota. Pra, është një gënjeshtër që e përdorin para këtij Kuvendit që e dimë se është i jashtëligjshëm.”, tha Saliu për Gazetën Metro.

”Licencohen çdo vit vetëm klubet që përmbushin kriteret për të marrë pjesë në garat europiane. Nuk ka të bëjë aspak ky licencim me Federatën e Futbollit të Kosovës,” tha ai tutje.

Skandalin e radhës nga institucioni që do të duhej të ishte shembull për federatat e tjera, Eroll Salihu e sheh si ”absurde”.

Ai thotë se zyrtarët e UEFA’së vijnë vetëm për procesin e auditimit dhe jo siç ka pretenduar FFK’ja edhe për atë të licencimit.

”Janë pesë kritere për licencimin e klubeve si kriteri ligjor, sportiv, financiar e të tjera. Pastaj është edhe Komisioni i shkallës së dytë të ankesave. Ndërsa sa i përket auditimit çdo vit vjen një firmë të cilën e dërgon UEFA dhe FIFA për auditim, sikurse siç bëhet auditimi ynë i brendshëm ashtu e dërgojnë edhe këto dy institucione për llogari të tyre.”

”Është absurde dhe i ka tejkaluar të gjitha kufijtë e normales nuk po di se çfarë po dëshirojnë të dëshmojnë me këtë. Nuk është aspak e vërtetë sepse zyrtarët e UEFA’s vijnë vetëm për auditim,” përfundoi ai për Gazeta Metro.

Ditë më parë u zbulua draft-statuti i FFK’së që shihet se ka shkelje të mëdha dhe favorizime të dukshme për kryetarin Agim Ademi dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.

Salihu këtë e kishte quajtur si ”mashtrimin më të madh në histori të futbollit kosovar”, teksa kishte theksuar se ”delegatët po konsiderohen budallenj”.

Përveç asaj tash e disa javë FFK’ja ashtu si edhe shumë federata të tjera në Kosovë është në proces të licencimit nga MKRS.

Nga një moslicencim i mundshëm i FFK’së siç dihet më së shumti penalizohen klubet të cilat pastaj nuk mund të përfitojnë nga Ligji i Sponsorizimit.

Komisioni kishte vlerësuar se lista e kushteve që nuk i ka plotësuar FFK’ja është shumë e gjatë, ku ndër të tjera mungojnë edhe dëshmitë gjyqësore që i kërkojnë ata.