Gjilan.AL

G-Lan City

Duka tregon prapaskenat pas humbjes së Shqipërisë në Poloni: Nuk më pëlqeu ajo qasje

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dha një intervistë ekskluzive për SuperSport, ku rrëfeu emocionet e konfirmimit në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, situatën në Kombëtare, por edhe garën e fortë në Kategorinë Superiore.

Duke u ndalur te kuqezinjtë, Duka shpjegoi edhe atë reagim pas ndeshjes me Poloninë. Atëherë kreu i FSHF-së deklaroi se ka ikur koha e humbjeve dinjitoze.

Ndërkohë për SuperSport tha se deklarata ishte një mënyrë për t’u dërguar mesazh futbollistëve, që në fund të fundit, kemi dalë pa pikë.

“Ishte një reagim jo emocional dhe jo i pamenduar, pasi e bëra të nesërmen e ndeshjes me Poloninë, kur u ktheva në Tiranë. Pashë gjendjen brenda ekipit, atmosferën e stafit dhe delegacionit, tifozëve, etj, të cilët ishin të gjithë të kënaqur. Mua më pëlqen që u krijua një entuziazëm i tillë, por e pashë të arsyeshme që t’i kujtoj ekipit që ne kemi humbur në Poloni dhe nuk mund ta përjetojmë një humbje, si fitore”.

“Ne kemi objektiva të qartë, pasi duam të shkojmë në Gjermani më 2024-ën. Dhe në Gjermani nuk shkohet duke përjetuar humbjen si fitore”.

“Pavarësisht paraqitjes, nuk kemi humbur kot në Poloni. Ajo humbje meriton analizë dhe nxjerrje mësimesh se si të shkohet te fitorja. Për të qenë me këmbë në tokë, kam dashur t’i them ekipit në përgjithësi se ne kemi humbur dhe nuk kemi fituar”, u shpreh Duka. /Gazeta Olle/