Gjilan.AL

G-Lan City

Disa këshilla për fizioterapi gjatë shtatzënisë

Gjatë shtatzanisë, trupi, funksionet trupore dhe fusha emocionale pësojnë ndryshime për të lejuar zhvillimin e fëmijës dhe më pas sjelljen në jetë të tij. Paslindjes, (ose siç njihet ndryshe lehonia) gruaja duhet t’i rikthehet karakteristikave të mëparshme, por shpesh kjo nuk ndodh.

Fizioterapia në shtatzani ka për qëllim ta njohë gruan me ndryshimet trupore që e presin atë gjatë 39-40 javëve, ta riedukojë për të parandaluar problematikat e mundshme që lidhen me shtatzaninë dhe ta përgatisë atë për një lindje sa më pak traumatike. Gjithashtu, fizioterapia e ndihmon gruan edhe pas lindjes për të rimarrë funksionet trupore.

Ndryshimet trupore te një grua shtatzanë

Rritja në peshë është ndryshimi që bie më shumë në sy. Një grua duhet të shtojë mesatarisht gjatë kësaj periudhe 10-12 kg. Uterusi e zmadhon diametrin 5-6 herë dhe volumin rreth 3000 herë. Veshkat e rrisin gjatësinë me rreth 1cm, ureteret hyjnë në fshikëzën e urinës (e cila është arsyeja pse shfaqen infeksionet urinare në shtatzani). Kapaciteti i mushkërive ndryshon lehtësisht; diametrit të kafazit të kraharorit rritet me 5-7 cm dhe diafragma ngrihet lart me rreth 4 cm.

Presioni arterial ulet lehtësisht, presioni venoz rritet në gjymtyrët e poshtme. Muskujt abdominalë tendosen gradualisht derisa arrijnë maksimumin në fund të shtatzanisë. Kjo bën që ata ta ulin forcën e tyre dhe për pasojë dhe aftësinë kontraktuese. Ligamentet bëhen më elastik se zakonisht për shkak të hormoneve. Muskujt e dyshemesë së legenit ulen poshtë (ato gjatë lindjes mund të pësojnë tërheqje deri dhe këputje).

Qendra e graviteti të trupit (si pasojë e rritjes së uterusit dhe gjirit) zhvendoset dhe gruaja pëson ndryshime në pozicionimin e trupit për të siguruar ekuilibrin. Shtylla kurrizore thellohet në pjesën e qafës dhe të belit (hiperlordozë cervikale dhe lumbare). Gruaja tenton të ecë me këmbë hapur, me gjunjë të tendosur dhe të karikojë më shumë me thembra.

Problemet më të shpeshta gjatë shtatzanisë

Dhimbja e mesit, është frekuente në shtatzani. Gratë në përgjithësi ankohen për dhimbje në pjesën e mesit dhe shpesh dhimbja shpërdahet në vithe apo deri në këmbë. Ajo lidhet me ndryshimet e pozicionit të trupit. Dhimbja bëhet më e fortë kur gruaja qëndron ulur apo në këmbë për një kohë të gjatë dhe në fund të ditës nga lodhja muskulare.

Çarja e muskulit rektus abdominis. Çarja e tij njihet në mjekësi me termin “diastazë”. Diastaza e muskulit në fjalë krijon gjithashtu dhimbjen e mesit apo vështirësi në ndërrimin e pozicionit në shtrat. Kur kjo çarje kalon 4-5 cm, ul edhe mbrojtjen e bebes.

Variçet (venat varikoze) bëhen të pranishme në shtatzani për shkak të rritjes së peshës së uterusit që shtyp venën kava inferior dhe rrit në këtë mënyrë presionin në venat e këmbëve. Ato bëhen të dukshme nga fundi i tremujorit të dytë dhe në tremujorin e tretë. Simptomat variojnë nga një rëndim i lehtë i këmbëve deri në dhimbje të forta të tyre në pozicionin drejt në këmbë.

Muskujt e dyshemesë pelvike. Gjatë shtatzanisë gruas i ndodh dhe dobësimi i muskujve të dyshemesë pelvike (fundit të barkut). Kapsllëku në shtatzani, traumat gjatë aktit të lindjes, shtimi i madh në peshë favorizojnë dobësimin e muskujve të dyshemesë pelvike dhe si pasojë gruaja pas lindjes mund të ketë probleme të kontrollit të sfinkterave vezikal dhe anal (inkontinencë urinare dhe fekale).

Nervoze gjatë natës. Gratë ankohen për dhimbje tek kyçi i dorës, gishtat apo dhe tek këmbët, që i zgjojnë natën dhe i bëjnë nervoze. Kjo gjendje është pasojë e sindromave si: tuneli karpal apo thorasic outlet syndrome, të cilat shkaktohen nga ndryshimet posturale, mbajtja e lëngjeve në organizëm dhe ndikimi hormonal.

Fizioterapia në shtatzani dhe pas lindjes

Programi i ushtrimeve terapeutike në shtatzani dhe pas lindjes ka si qëllim të minimizojnë pasojat e modifikimeve trupore, ta ndihmojë gruan për të përballuar aktin e lindjes dhe rifitimin e karakteristikave të para lindjes. Rëndësi të veçante fizioterapisti i kushton:

– Edukimit të nënës për pocizionin korrekt të trupit, mënyrën e ecjes, mënyrën e fjetjes, të ndryshimit të pozicionit, mirëmbajtjen e muskujve të barkut. Të gjitha këto parandalojnë dhimbjen e mesit dhe çarjen (diastazën) e muskulit rektus abdominis të barkut.

– Ushtrimeve të zgjatjes dhe forcimit të muskujve të gjymtyrëve. Këto ndikojnë në përgatitjet e gjymtyrëve gjatë shtatzanisë dhe pas lindjes. Gjymtyrët e sipërme përgatiten për mbajtjen dhe kujdesin për bebin, ndërsa gjymtyrët e poshtme për të përballuar rritjen në peshë dhe parandalimin e shfaqjes së variçeve dhe edemës.

– Teknikave të frymëmarrjes dhe relaksimit muskular, të cilat jo vetëm e ndihmojnë gruan për ta përballuar qetësisht shtatzaninë, por janë shumë të rëndësishme edhe gjatë aktit të lindjes. Gruaja edukohet që gjatë aktit të lindjes të mos bllokojë ritmin e frymëmarjas dhe të dijë të relaksojë muskujt e dyshemesë pelvike, për të lehtësuar në këtë mënyre daljen sa më pak traumatike të bebes në kanalin e lindjes.

– Përgatitjes së muskujve të dyshemesë pelvike. Gruaja mësohet si t’i kontraktojë dhe t’i relaksojë këta muskuj. Kjo ka rëndësi për të minimizuar traumat në lindje dhe për të parandaluar inkontinencen urinare dhe fecale pas lindjes. /Gazeta Shneta/