Gjilan.AL

G-Lan City

Dedikim i veçantë i Mimoza Shkodra – Bislimit për vajzën e saj Megin, lojtaren më të mirë të serisë finale në volejboll

Ish-volejbollistja e njohur gjilanase Mimoza Shkodra – Bislimi, tashti nënkryetare e Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe profesoreshë universitare e Kulturës Fizike dhe Sportit, ka dalë me një dedikim të veçantë për vajzën e saj 15-vjeçare Megi Bislimi, e cila po shkëlqen në lojën e volejbollit.

Ky është një rrëfim interesant i një sportisteje, i një nëne që aq shumë ka sakrifikuar për sportin, familjen, fëmijët, andaj kryelajmi.com, po u sjellë dedikimin e saj të plotë.

Pa modesti…!

Ishte viti 2007 kur bashkë me KV. Dritën (ekipin e zemrës) shkuam në finale të kupës së Kosovës dhe duhej një sforcim dhe koncentrim edhe më i madh që të paraqiteshim si ekip sa më mirë. Atë kohë bëheshin mbi 10 vite që mbaja përgjegjësinë e kapitenes dhe kjo më jepte një përgjegjësi edhe më të madhe. Gjithë këtë presion e mbaja vetë duke patur edhe një fryt në barkun tim dhe që unë ende nuk e dija. Mbaj mend se loja ishte me shumë presion dhe shumë ngarkesë, por nuk e dija që atë ngarkesë po e mbante edhe e vogla ime që ishte në javën e 6- të të zhvillimit brenda trupit tim. Nuk e dija gjithashtu që brenda trupit tim po vinte një yll volejbolli. Për mbi 20 vite karrierë në lojën e volejbollit, kjo ishte loja e cila mua me rri në kujtesë sa të jetoj, sepse pas dy ditëve e kuptova që një fëmijë po më vinte në jetë dhe i kishte përballuar tensionit dhe presionit tim fizik dhe mendor për 6 javë me radhë. Erdhi koha dhe e vogla ime lindi shumë e shëndetshme. Nënat kanë një fuqi dhe intelegjencë natyrore të kuptojnë çdo gjë për fëmijët e tyre, edhe nëse ajo gjë ende nuk ka ndodhur! Çdo ditë e mendoja se si do të rritet dhe se si do të vazhdojë rrugën e dy prindërve të saj. Kjo më vinte ne mendje pa e sforcuar vetën, dhe pa dashur të mendoj për të ardhmen e saj. Nuk i’a thash kurrë askujt, përpos që e bisedonim me Benin, sepse kisha frikën që çdo kush do të thoshte që secili prind mendon njëjtë për fëmijën e tij dhe nuk e doja këtë koment! Erdhi viti 2013 kur seriozisht mendova se duhet të largohem nga angazhimi im aktiv në volejboll (edhe pse ende e kisha të mundur që të vazhdoj) dhe se duhet lëshuar radhë për të rejat që po vinin. Një nga to ishte edhe e vogla ime, e cila njëkohësisht filloi në akademinë e KV Dritës dhe ishte në duart e sigurta të Adelajda Fran Prenga dhe Lorik Ilazi. Çdo ditë me radhë më shtohej dhe fuqizohej besimi që një ditë do të bëhet vajza që ëndërronim bashkë me Arben Bislimi… çdo ditë e ndjeja sigurinë që më jepte zemra që një ditë e vogla ime do të realizoj qëllimin që i kishin dhënë prindërit, dhe çdo ditë vazhdonim të punonim që t’ia rrisim dashurinë dhe pasionin për volejbollin.

Ajo ditë erdhi, erdhi edhe më mirë se që e kishim menduar unë dhe Beni. Megi u bë ajo që ne prindërit e mendonim dhe e ndjenim. U bë vajza që i përballoi sfidave e ngarkesave të volejbollit që nga embrioni e deri më sot. Megi (15 vjeçe) i përballoi 3500 shikuesve me 24 pikë të fituara dhe atë më së shumti, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë sport në Kosovë e askund tjetër në moshën e saj. Megi u bë vajza që ne prindërit e ëndërronim. U bë edhe për ata që nuk besonin. U bë sepse ka një talent, u bë sepse u rritë në palestër nga mosha 3 muaj (në përkrahje të dy prindërve të saj aktiv), u bë sepse ajo ishte pjesë e ekipit Drita, u bë sepse trajner ka strategun e volejbollit të Kosovës Lorik Ilazin, u bë sepse ka një familje që e përkrahë shumë si është Drita familja. U bë ajo që unë dhe Beni ëndërronim.

Faleminderit bijë që i shuajte të gjitha dilemat…!

/Kryelajmi/