Gjilan.AL

G-Lan City

Blerim Haziri: Nxënësit po bartin mbi supe pesha të mëdha

Asambleisiti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Haziri në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Komunal të Gjilanit ka ngritur 4 çështje. Më poshtë mund të gjeni postimin e tij të plotë Facebook.

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal i ngrita shqetësimet e qytetarëve të komunës së Gjilanit drejtuar organeve përgjegjëse komunale!

1. Nga ish qeverisja komunale e Gjilanit tani opozitë kemi trashëguar moszbatimin e kontratës kolektive të komunës ndaj mësimdhënësve, e cila ka rezultuar me padi individuale ndaj komunës, për të cilën kontratë të gjithë kanë qenë të vetëdijshëm që mësimdhënësit kanë të drejtë në kërkesat e tyre ligjore dhe do ta fitojnë, përveç ish qeverisjes, të cilët po atë kontratë nuk e realizuan në kohë, madje e zvarritën aq gjatë saqë mësimdhënësit u detyruan që ndaj komunës të ngritin padi individuale dhe si rezultat i saj Komunës së Gjilanit pritet t’i ngarkohet një kosto shtesë mbi 500 000 euro, duke paguar pa nevojë avokatë, kamatë, inflacion etj. I nderuar do të ishte me interes për të gjithë mësimdhënësit që të kenë më shumë njohuri rreth këtij procesi?

2. Shqetësimi i cili rezulton në pyetje e dytë është se nxënësit e ciklit të ultë të klasëve 1-5 të fshatit Bresalc, por edhe fshatit Ponesh që të ndjekin mësimin duhet që në supet e tyre të mbartin një çantë e cila varion nga 5-7 kg dhe duhet çdo ditë pune që të kalojnë nga 4-5 kilometra vajtje-ardhje kryesisht në rrugë, duke u rrezikuar nga veturat dhe qentë endacakë, sepse nuk ka pasur dhe ende nuk ka as trotuarë dhe as ndriçim, kur dihet fakti se gjatë dimrit duhet të kthehen edhe në orët e vona. E nderuar drejtoreshë e Arsimit dhe drejtor i shërbimeve publike, a keni menduar ndonjë zgjidhje të afërt në këtë drejtim?

3. Gjithashtu, kemi trashëguar një Rrugë të Kumanovës e cila nuk ka as hyrje kryesore dhe ende nuk ka as dalje kryesore. A mendoni të bëni një zgjidhje që së paku Rruga e Kumanovës të ketë hyrje kryesore ku do të ishte mjaft e përshtatshme që të bëhet hyrja kryesore e Rrugës së Kumanovës te furra Drita dhe të vazhdohet deri te Salla e Sportit “Bashkim Selishta”.

4. Dhe kërkesa e fundit, por jo për nga rëndësia, tani që po na vjen vera dhe shetitorja bëhet shumë e qarkullume, mirëpo nuk ka rregull për të, sepse kalojnë njerëz me qenë pa maska mbrojtëse, fëmijë e të rritur me trotineta elektrik, biciklista etj. Kërkoj që të bëhet një komision dhe të punojë së paku një rregullore ku të krijohet rregull se si duhet të sillemi në shetitore.

Gjithashtu, në vendimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni që çdo lindje të subvencionohet me nga 100 euro, me qëllim të stimulimit të natalitetit kërkova që pas fëmijës së tretë, fëmija i katërt të subvencionohet me nga 400 euro, fëmija i pestë me nga 500 euro dhe duke vazhduar në këtë mënyrë, ku gjeta mbështetje nga të gjithë kolegët asamblist pozitë dhe opozitë dhe e miratuan një kërkesë të tillë! /Gjilan.AL/