Gjilan.AL

G-Lan City

Berisha i lumtur me golin dhe fitoren

Mërgim Berisha ia siguroi një fitore të madhe Augsburgut në Bundesligë. Sulmuesi kosovar e shënoi golin vendimtar ndaj Borussia Monchengladbachut, i cili e largon ekipin e tij nga zona e ekipeve të rrezikuara për të rënë nga liga

Mërgim Berisha ka qenë edhe një herë hero i Augsburgut.

Sulmuesi kosovar ia ka siguruar tri pikë të arta ekipit të tij në Bundesligë.

24 vjeçari e realizoi golin e fitores minimale 1:0 ndaj Borussia Monchengladbachut, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 17-të.

Futbollisti nga Suhareka në fakt e realizoi një gol akrobatik në minutat e fundit të lojës, shkruan “Gazeta Express”.

Kjo ishte hera e parë që Augsburgu fitoi në shtëpi që nga shtatori i vitit të kaluar, kur pikërisht me golin e Berishës e kishte mposhtur gjigantin Bayern Munich.

Ky ishte goli i katërt sezonal për Berishën në 11 ndeshje të zhvilluara deri tash në ligën elitare gjermane, ndërsa ai i ka edhe katër asistime.

Futbollisti në pronësi të Fenerbahçes ndihet i lumtur me fitoren dhe me golin e radhës.

“Ishte një paraqitje mjaft e mirë nga ana e jonë. U mbrojtëm mirë si ekip dhe i krijuam disa raste. Jam i lumtur që e ndihmova ekipin me golin tim. Por, fakti se ne fituam, është gjëja më e rëndësishme”, deklaroi ish-futbollisti i Salzburgut.

Falë kësaj fitoreje, Augsburgu iu shmang përkohësisht zonës së ekipeve që do të bien nga liga.

Berisha synon ta shpëtojë ekipin e tij dhe shpreson që ta vazhdojë karrierën në Gjermani.