Gjilan.AL

G-Lan City

Bajrami flet për transferimin te Sassuolo: Jam shumë i lumtur që ndodhem në këtë klub

Nedim Bajrami ndërroi ekip në momentet e fundit të merkatos dimërore. Fantazisti i kombëtares shqiptare, kaloi nga Empoli te Sassuolo në huazim me detyrim blerjeje për një shumë rreth 6 milionë euro.

23-vjeçari nga Tetova e mbylli aventurën toskane me 107 ndeshje dhe 17 gola. Bajrami gjen ish-trajnerin Dionisi te Sassuolo, me këtë të fundit që insistoi për afrimin e mesfushorit të avancuar.

Në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit të ri, Bajrami u shpreh: “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Më vjen mirë që rigjej ish-shokun tim Pinamonti. Ambienti i Sassuolos më pëlqen shumë”.

“Kur mora vesh për interesimin e Sassuolos u gëzova shumë. Kjo është zgjedhja e duhur për mua. Objektivat? Dua të ndihmoj skuadrën dhe të zbres në fushë sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Përshëndetje të gjithë tifozëve, forca Sassuolo”, deklaroi Bajrami, autor i dhjetë ndeshjeve me kombëtaren kuqezi.