Gjilan.AL

G-Lan City

Artpolis sjell edicionin e 11-të të Festivalit FemArt nën moton “Kalle Tutën”

Artpolis, përmes Festivalit FemArt, edhe sivjet pasuron skenën kulturore të Kosovës me aktivizëm artistik të nivelit botëror, krahas prezantimit dhe mbështetjes së skenës vendore dhe rajonale.

Më 15-21 maj, 2023 në Prishtinë dhe Mitrovicë do të realizohet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt, i cili vjen nën moton “Kalle Tutën”.

“Kalle Tutën” vjen si thirrje për të flakur tutje tutën, me i dhënë mundësi të resë, guximit dhe dashnisë që të lindë.

Guximi është parakusht që të mposhtim frikën. Për shumë gjatë na mësuan të heshtim, është koha të guxojmë të flasim. Do të flasim dhe do të kallim tutën guximshëm e me dashni edhe në edicionin e 11-të të Festivalit FemArt.

“Më 15-21 maj, 2023 dhe çdo ditë tjetër do të flasim edhe për gratë që nuk dëgjohen, edhe për vajzat që ëndërrojnë. Kemi kaq shumë për të thënë përmes shfaqjeve teatrore, paneleve të diskutimit, ekspozitave, konferencave, performancave, punëtorive dhe këngëve e kërcimit”, thuhet në njoftim.

“Arti dhe aktivizmi janë hapësira jonë e lirisë, e rrëfimit mbi jetën, kuriozitetit dhe magjepsjes sonë të pafund. Përmes artit tonë themi atë që mendojmë dhe besojmë, e përmes diversitetit tregojmë se kush jemi. Dallimet tona etnike, fetare, racore e gjinore përbashkohen rreth feminizmit tonë edhe në këtë edicion të FemArt. Kemi vullnet të rimarrim atë që na takon – jetën e përmbushur. Do ta bëjmë tash! Me guxim për çlirim”, thuhet tutje.

Kalle tutën nga patriarkati! Kalle tutën e paragjykimit! Kalle tutën e dështimit! Kalle tutën nga gjithçka që të ndalon të lëvizësh. Mjaft kemi qëndruar një hap prapa! Bashkë e kallim tutën! Bashkë zhvendosemi një hap para!

Prandaj, guxo të lëvizësh edhe në errësirën e natës. E nëse ke frikë të lëvizësh në errësirën e natës, së bashku e ndriçojmë qytetin! Guxo e kalle tutën për me i lënë vend dashnisë për veten dhe të tjerët!

Gratë artiste do të bëjnë hapjen e Festivalit FemArt përmes shfaqjes “Fefu dhe Shoqet e Saj”, produksion i veçantë nga Artpolis dhe premierë në edicionin e 11-të të Festivalit. I gjithë ekipi në krijimin e kësaj shfaqje përbëhet nga artiste të dëshmuara të skenës teatrore kosovare, përfshirë këtu edhe Trupën Artistike Rezidente të Artpolis me regji të Arlinda Morinës.

“Fefu dhe Shoqet e Saj” do të prezantohet më 15 maj nga ora 20:00 në Menzën Ramiz Sadiku.

Ndër të tjera publiku në Kosovë do të ketë rastin të shikojë shfaqjet e prezantuara në Festivalin prestigjioz të Avignonit; “Jogging” nga Libani, dhe “Olympe Et Moi” nga Franca, me artistët e nivelit botëror Hanane Hajj Ali, Patrick Mons dhe Veronique Ataly.

Përveç tyre, pjesë e FemArt do të jetë Trupa Artistike nga Izraeli të udhëhequr nga një prej producenteve më të njohura në botë, Yu Jingyi, dhe aktori dhe artisti multidisiplinar Yehezkel Lazarov. Përveç prezantimit të shfaqjes “The Superfluos Man – Oblomov” ata do të ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre përmes një punëtorie dhjetë ditore me artistë nga Kosova, duke krijuar kështu një urë lidhëse të rëndësishëm ndërmjet dy vendeve duke bashkëpunuar me artistët e Trupës së Artpolis dhe Noah Dance Company që do të rezultojë me shfaqjen e përbashkët në natën e fundit të festivalit.

“The Superfluos Man – Oblomov”, e prezantuar në “Isra-Drama: Ekspozimin Ndërkombëtar të Teatrit Izraelit”, është një përshtatje e klasikut rus Oblomov që ngre pyetjen: A ka të drejtë njeriu të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë?

Në këtë edicion sjellim tingujt latin përmes koncertit të La Chica-s, e cila sjell temperamentin dhe entuziazmin shpirtëror venezuelas, të përzier me ndikimin multikulturor, urban dhe modern parisien. Në muzikën e saj ndërthuren zhanret e ndryshme si pop, hip-hop, ritëm dhe bluz, muzikë latine, muzikë afro-karaibe dhe ndikimi i muzikës klasike të Debussy-t që vjen në tri gjuhë; spanjisht, frëngjisht dhe anglisht.

Këtyre iu bashkohen edhe artiste/ë dhe aktiviste/ë nga Sllovenia përmes shfaqjes “Pesë Llojet e Heshtjes”, me regji nga Maša Pelko, Polonia “Gruaja dhe Jeta” me regji të Piotr Łukaszczyk, Serbia “Vajzat” me regji të Milena Bogavac, si dhe DJ nga Bosnja dhe Herzegovina Marina Mimoza.

E rol të rëndësishëm luan sivjet edhe skena artistike vendore, fuqizimi i së cilës është një nga synimet kryesore të Festivalit FemArt, që nga themelimi. FemArt, e krijuar nga gratë për gratë, hapësirë të veçantë iu jep edhe sivjet artisteve dhe aktivisteve vendore, prezantimit dhe promovimit të punëve të tyre.

Pjesë e Festivalit është edhe filmi “Vera Andrron Detin” nga Kaltrina Krasniqi, që ka rrëmbyer dhjetëra çmime të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare, i cili shoqërohet me një panel diskutimi në mes artisteve që e krijuan filmin dhe publikut në Kino Armata.

Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar do të prezantohen shfaqjet “Gratë” me regji të Nastazja Domaradzka, si dhe “Molly” me regji të Sibel Abdiu. Kurse në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” do të prezantohet shfaqja “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër” me regji të Ana Bateva. E sivjet bashkëpunimi vazhdon me Teatrin Oda, Teatrin Dodona, Teatrin e Qytetit të Mitrovicës, dhe Pallatin e Rinisë. Kurse tek Klubi i Boksit sjellim ekspozitën “Status” nga Mimozë Sahiti, me kurator Albert Heta.

Ndërsa tek Dispanzeri afër QKMF-së në Prishtinë do të prezantohet shfaqja “Sober” me regji nga Butrint Pasha, në të cilën luajnë aktorët e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis.

FemArt sjell në Bibliotekën Kombëtare konferencën “Kalle Tutën: Një Konferencë për Jetesë të Guximshme”, që bën bashkë artiste/ë, aktiviste/ë dhe personalitete të shquara në këto panele diskutimi: “Përtej paragjykimeve: Fuqizimi i grave për të tejkaluar stereotipet në vendimmarrje në art dhe në kulturë”, “Paqja dhe siguria: Kapërcimi i frikës dhe ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme”, “Thyerja e stigmës: Shëndeti mendor dhe mirëqenia në kohë sfiduese”.

Në Mitrovicë programi i FemArt realizohet në bashkëpunim me 7 Arte, si dhe Muzeun e Mitrovicës. Aty do të prezantohen dokumentari dhe paneli i diskutimit Biba May “Jo Më” produksion nga Artpolis, shfaqja “Gratë”, si dhe performanca “Olympe et Moi”.

Edicioni i 11-të do të përmbyllet me koncertin e tre emrave të njohur në skenën e muzikës vjeneze Rina Kaçinari Trio, në përbërje të Rina Kaçinarit, Carles Muñoz Camarero dhe Jörg Mikula, me mysafir special Kori i Grave “Okarina”. Kjo treshe do të prezantojë në FemArt kompozime origjinale që përshkruajnë momentet e ndryshme të jetës trishtimin, dashurinë dhe lumturinë.

Ditët në vazhdim FemArt do të ndajë me ju detajet e programit, përfshirë edhe konceptet e aktiviteteve, për të cilat mund të informoheni në rrjetet sociale dhe webfaqen e Festivalit. /KultPlus/