Gjilan.AL

G-Lan City

Aliriza Selmani, historiani që punoi e veproi vertikalisht në të gjitha periudhat, por i harruar nga institucionet komunale

Është një nga historianët e paktë në Gjilan e Anamoravë, që ka punuar në heshtje dhe ka kontribuar maksimalisht që qyteti i Gjilanit ta ketë një histori të ndriçuar për periudha të caktuara historike. Është i edukuar dhe i shkolluar në atë frymë që asnjëherë nuk flet për vete dhe meritat që ka pasur. E habitshme se si asnjë qeveri komunale nuk e nderoi kontributin e këtij historiani të thjeshtë e modest, por shumë dobiprurës për punën e mirë e të gjithanshme që ka bërë për Gjilanin e Anamoravën.

Ka rreth 79 vite moshë dhe ende ka memorie të freskët dhe mundohet të shpjegojë për të kaluarën e tij dhe të jap një mesazh për gjenerata e reja. Ky është historiani gjilanas Aliriza Selmani të cilin përkundër kontributit të madh që ka dhënë në rrethana krejt të vështira mbetet njeriu më i anashkaluar nga institucionet komunale të të gjitha partive politike.

Ka lindur në një familje zejtare duke vazhduar shkollimin fillor e universitar duke kurorëzuar titullin e magjistrit deri tek regjistrimi i doktoraturës të cilën nuk arrit ta përfundoj për shkak të kushteve materiale dhe rrethanave të atëhershme të kohës.

Kishte marrë pjesë në demonstratat studentore në Prishtinë, më 1968, dhe së bashku me shokët e katedrës së historisë Hakif Bajrami, Fehmi Rexhepi dhe Bajram Blaku, të parët i shpaluan flamujt kombëtarë para Fakultetit Filozofik ku edhe ka filluar demonstrata.

Andaj edhe emrat e tyre ndodheshin në “Dokumentin 215”, të intelektualëve të Kosovës, të ndërmarrë nga UDB-a e Kosovës me kërkesë nga Tito për burgosjen e tyre.

Kjo bëri që edhe Aliriza Selmani të ishte në mbikëqyrje nga organet e pushtetit dhe shumë herë ishte marrë në biseda informative nga organet e ndjekjes. Madje, më 1989, për shkak të qëndrimit të tij këmbëngulës në mbrojtjen e pacenueshmërisë së autonomisë së Kosovës, regjimi serb së bashku me pesë shokë të tjerë u largua edhe nga procesi mësimor.

Me rastin e mëvetësimit të shkollës shqipe, për gati dhjetë vjet, profesor Selmani vazhdoi profesionin e tij të mësimdhënësit me nxënës nëpër shtëpi-shkolla.

Ndërkaq, pa largimit të regjimit okupues serb nga trojet tona, ai u emërua drejtor i Arkivit Ndërkomunal të Gjilanit, të cilën detyrë e ushtron me sukses.

Nga kureshtja e pyes profesorin nëse ka marrë ndonjë mirënjohje nga institucionet komunale.”Jo nuk më ka dhënë as Qemajli, as Luta e as ky i fundit. Nuk e di pse ndoshta s`kam ditur të imponohem sepse unë thjeshtë kam jetuar nga puna ime dhe angazhimi im profesional e institucional, që e kam ndjekur vazhdimisht duke e kryer detyrën me nder dhe përgjegjshmëri” shprehet Selmani.

Po cila është porosia e profesor Aliriza Selmanit për gjeneratat e reja sidomos për brezin e historianëve të rinj. “Ne kemi punuar e vepruar në kushte shumë të rënda dhe të papërshtatshme, kurse tani gjeneratat e reja kanë tjera rrethana. Porosia ime është që ata të hulumtojnë dhe të mos ndalen, duke verifikuar e hulumtuar arkiva, dokumente e libra nga më të ndryshmet për ta paraqitur historinë tonë drejtë dhe shkencërisht të qëndrueshme. Kemi një histori interesante si popull, vetëm se na duhet një argumentim faktografik para botës e fëmijëve tanë” shprehet Selmani për rajonipress.

Historiani i urtë dhe me shumë edukatë thotë se nuk ka më mirë se sa historia të jetë e bujshme dhe me zhvillime të qëndrueshme. “Kosova dhe populli i saj kanë përjetuar luftëra e katrahura të ndryshme në periudha të caktuara kohore dhe u mbetet historianëve të zot e të ditur që të prezantojnë bindshëm dhe me argumente dëshmitë. Ne nuk kemi nevojë të bëjmë falsifikime sepse historia jonë është e shkruar me gjak, me dhimbje e shumë sakrifica nga baballarët e gjyshërit tanë” shton Selmani.

Rrugëtimi për të shkruar libra studimor e shkencor nuk është edhe i lehtë për profesor Aliriza Selmanin, por me një strategji, vullnet e kureshtje profesionale ka arritur të ofrojë historisë gjilanase mjaft materiale e vepra që e bëjnë Gjilanin të njihet më mirë nga të tjerët.

Është autor i shumë librave, është bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Institutit të Historisë dhe atij Albanologjik të Prishtinës. Deri më tani botoi një varg studimesh e trajtesash shkencore e publicistike dhe mori pjesë me kumtesa në disa simpoziume, sesione e tribuna shkencore kombëtare e ndërkombëtare nga lëmi i historisë (veçanërisht për çështjen e Anamoravës).

Është autor i Monografisë “Gjilani me rrethinë 1908-1912”, botuar më 1998; bashkautor i Monografisë “Myderriz Haki Efendiu (1914-1948), të botuar më 2005, dhe “Udhërrëfyesi i fondeve dhe koleksioneve arkivore të ANDGJ”, të botuar më 2007; autor i librit “Shpërngulja e shqiptarëve nga Gjilani e rrethina në Turqi” (sipas dokumenteve arkivore), botuar më 2008; “Gjurmime historike për Gjilanin e rrethinën”, botuar më 2009; “Gjilani- qendër e Anamoravës nga themelimi deri në gjysmën e parë të shek. XX “, botuar më 2015; ribotuar më 2017; Monografinë “Hoxhë Lipovica atdhetar i devotshëm”, botuar më 2019. Tani është duke punuar për zejtarinë e Gjilanit.

Ndryshe Mr. Sc. Aliriza Enver Selmani lindi në Gjilan, më 3 maj 1944, në një familje zejtare, shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje më 1964, kurse Fakultetin Filozofik-dega e historisë, në Prishtinë, më 1970.

Pas dhjetë vjet pune në arsim, prof. Aliriza Selmani i regjistroi studimet pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës-Dega e historisë, ku edhe magjistroi me sukses, në shkurt të vitit 1984, me temën:”Kazaja e Gjilanit 1908-1912”, para komisionit: Dr. Skënder Rizaj (mentor), Dr. Shukri Rahimi dhe Dr. Bedrush Shehu (anëtarë).

Fill pas magjistrimit, më 1984, në fakultetin Filozofik të Prishtinës e paraqiti dhe i ishte miratuar edhe teza e doktoratës: “Gjilani me rrethinë në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX”, por nuk u realizua për shkak të rrethanave të kohës dhe kushteve materiale.

Gjatë vitit shkollor 1964/65 punoi arsimtar në shkollën e fshatit Bresalc. Prej 1 shtatorit 1969 deri më 1979 punoi profesor i historisë në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit dhe pas 10 vjetësh në shkolla të tjera të mesme të qytetit.

Pas luftës (më 1999) u caktua drejtor i Arkivit Ndërkomunal në Gjilan, dhe u pensionua më 3 maj 2009.

Gjatë punë së tij 35 vjeçare në arsim, ishte punëtor i dalluar në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj dhe i respektuar nga kolegët dhe nxënësit e tij.

Vazhdimisht ishte i inkuadruar në organet vetëqeverisëse të këtyre shkollave, ushtrues detyre i ndihmësdrejtorit të gjimnazit, andaj edhe shumë herë ishte lavdëruar dhe kishte marrë mirënjohje e shpërblime të ndryshme. Mr. Sc. Aliriza Selmani, sikurse gjatë studimeve, ashtu edhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij edukativo-arsimore, mbante qëndrim të drejtë ndaj çështjes kombëtare.

Ndërkaq, pas largimit të regjimit okupues serb nga trojet tona, ai u emërua drejtor i Arkivit Ndërkomunal të Gjilanit, të cilën detyrë e ushtron me sukses./rajonipress/